Arsimi i Shqipërisë, shkollë me profil të qartë kombëtar
Prishtinë, 3 qershor - Korridoret e shkollës nuk janë të zhurmshme, megjithatë gjallëria vërehet që te porta kryesore. Është kjo shkolla private \"Arsimi i Shqipërisë\", një shkollë e vendosur në periferi të kryeqytetit, në lagjen \"Veternik\" në Prishtinë.
Krahas arsimit publik, në vendin tonë tash e sa vite aplikohet edhe mësimi privat. Kjo nuk vlen vetëm për sistemin e lartë universitar, por edhe për ciklin fillor dhe të mesëm arsimor.
Pë të pasur një shkollim sa më cilësor të fëmijëve tanë nevojitet një arsimim i duhur qysh nga mosha e hershme e parashkollorëve.
Shkolla private \"Arsimi i Shqipërisë\" është një vend ideal për dikë që mendon një të ardhme të ndritur për fëmijët e vet. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me kushtet e përsosura, me objektin modern dhe kushtet e tjera përcjellëse, por edhe me përkushtimin dhe profesionalizmin e pakrahasueshëm të stafit të kësaj shkolle cilësore.
Aty e takojmë edhe drejtorin e shkollës, i cili gjatë gjithë kohës, përkujdeset për mbarëvajtjen e procesit mësimor në shkollën të cilën e drejton. Është ky Sylejman Buçaj, i cili edhe vetë për një kohë të gjatë ka punuar me ditar në dorë, kurse tani është i lumtur që mund të kontribuojë në një mënyrë tjetër për edukimin e gjeneratave të reja. Thotë se kujdeset edhe personalisht për secilin prej nxënësve, pasi prindërit ia kanë besuar shkollës fëmijët e tyre.
Buçaj thotë se shkolla është themeluar në vitin 2011. Ka licencë të përhershme nga Ministria e Arsimit me nr.172/02, funksionon prej parashkollor deri në klasën e XII, si gjimnazi i përgjithshëm.
Specifikë e kësaj shkolle është se punon me planprograme të Shqipërisë, tekste shkollore të Shqipërisë dhe kuadër arsimor nga Shqipëria. I gjithë kuadri kanë përgatitje shkencore në fushën e mësimdhënies.
\"Deri tani i kemi 120 nxënës, kërkesat janë të vazhdueshme dhe numri i tyre është përherë në rritje\", thotë Buçaj. Viti shkollor kushton 1700 euro për ciklin e ulët, kurse 1900 euro për ciklin e mesëm. \"E di që ka shkolla me çmime më të ulta, por duhet theksuar se te ne nuk ka as ngjyrime politike e as fetare\", thotë Buçaj.
Transporti dhe ushqimi po ashtu sigurohen nga shkolla. Për transport është i kontraktuar një operator privat, derisa në vajtje-ardhjet e nxënësve angazhohen edhe nga një arsimtar, me qëllim të sigurisë së nxënësve në rrugë. \"Shkolla ofron cilësi si dhe siguri të plotë\", thotë drejtori Buçaj.
\"Çka është e veçantë te ne, nxënësit notohen çdo ditë dhe në fund nxirret nota përfundimtare. Çdo ditë prindi është i informuar për rrjedhën e rezultateve të fëmijës së vet dhe mund të krijoj vet grafikonin e ecurisë së mësimeve\", thotë më tej Buçaj. Po ashtu, bëhet kategorizimi i nxënësve sipas aftësive dhe ofrohet mësim shtesë në fusha të caktuara si matematikë e avancuar, fizikë e avancuar e të tjera.
Tani që është fundi i vitit, ka më shumë punë për stafin e mësimdhënësve, të cilët duhet të kururozëjnë me sukses punën e tyre njëvjeçare. Por, për drejtorin Buçaj tani puna dyfishohet. Ai duhet të kujdeset që prindërit e fëmijëve të jenë të kënaqur me mësimet që kanë marrë fëmijët e tyre.
Në të njëjtën kohë, ai duhet të menaxhojë edhe shumë kërkesa që vijnë për regjistrim në vitin e ardhshëm shkollor, edhe pse ende nuk ka përfunduar ky vit.
Edhe pse ka një ueb-faqe me informacion të plotë rreth kushteve të regjistrimit, drejtori Buçaj u përgjigjet telefonatave të ndryshme, zakonisht prindër që janë të interesuar për regjistrimin e fëmijëve të tyre.
Edhe derisa ne ishim në zyrën e tij, telefonatat nuk kishin të ndalur. Të interesuarit pyesin për kushtet e shkollës, për planprogramet dhe për shumëçka tjetër.
Aktualisht, Buaçaj thotë se interesimi më i madh është për regjistrim në klasën e parë, të gjashtë dhe të dhjetë.
Mësuesja Anila Cumani shprehet se ka ardhur në Kosovë në vitin 2012, kurse ka një përvojë mbi 13-vjeçare të punës në arsim në Shqipëri.
Ajo ka punuar në shkollat publike dhe private atje. Cumani shprehet se nga përvoja e saj, mund ta thotë me siguri se shkolla \"Arsimi i Shqipërisë\" është shkolla më e mirë në gjithë hapësirën shqiptare, për përgatitjen e të rinjve për studimet e mëtejme që do t\'iu sigurojnë atyre një karrierë të suksesshme dhe një formim që do t\'u shërbejë gjatë gjithë jetës së tyre.
\"Më lehtë e kemi me nxënësit që vijnë nga fillimi këtu, sepse përshtaten më lehtë me planprogramet dhe mënyrën e mësimdhënësies që aplikojmë ne si shkollë moderne që është numër një ndoshta jo vetëm në hapësirën shqiptare, por në gjithë Ballkanin perëndimor\", na thotë ajo, duke shtuar se ora zgjat 45 minuta, derisa organizohen edhe aktivitete shtesë pas përfundimit të mësimit të rregullt.
Mbi të gjitha, sipas saj, shkollën e karakterizon një disiplinë e rreptë, që është edhe çelës për sukses.
Kjo vërehet edhe në shkollë dhe përreth saj dhe krejt kjo të lë një përshtypje të mirë që edhe në vendin tonë ka një shkollë të tilllë moderne.
Sigurisht, edhe prindërit duhet të jenë të lumtur që atë që nuk e patën për vete, t\'ua sigurojnë fëmijëve të tyre, pra një shkollë moderne me plot kuptimin e fjalës.