Arsim Bajrami i shkruan letër rektorit
Prishtinë, 6 janar - Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ia ka kthyer një letër rektorit të Universiteti të Prishtinës Hasan Prishtina, për pranimin e fëmijëve të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.
Ministri Bajrami, në këtë letër shkruan se në shkresën e tij të mëhershme ka bërë me dije se UP-ja dhe shoqatat e luftës së UÇK-së kanë memorandum bashkëpunimi të lidhur më 30 shtator 2009, për ndihmë në regjistrim për kandidatët që janë pjesë e këtyre kategorive.
Ju kam informuar që ky memorandum bashkëpunimi nuk ishte shkëputur nga asnjëra palë dhe vazhdonte të mbetet në fuqi.
Megjithatë, ne nuk pretendojmë të merremi me karakterin juridik të memorandumit apo me modalitetet që dalin nga kjo marrëveshje, këto çështje i takojnë organeve të Universitetit dhe shoqatave përkatëse si palë nënshkruese.
Bazuar në shkresën tuaj po kuptoj që ju keni vendosur të ndërpritni këtë memorandum të bashkëpunimit me shoqatat e dala nga lufta. Ju lutem që njoftimin për këtë vendim të ju përcjellni zyrtarisht shoqatave përkatëse si palë nënshkruese, ka shkruar Bajrami në letrën e tij drejtuar rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahut, të cilën e ka siguruar Epoka e re.