24 Dhjetor 2024

Aplikacioni për akreditimin e Departamentit të Matematikës u dorëzua me vonesë

Prishtinë, 17 korrik - Agjencia Kosovare e Akreditimit ka reaguar ndaj pretendimeve të Departamentit të Matematikës, Universiteti i Prishtinës dhe deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje për ‘standarde të dyfishta’.

Sipas AKA, disa media kanë raportuar mbi lajmin që kinse Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) nuk ka bërë akreditimin e programeve të Departamentit të Matematikës, Universiteti i Prishtinës dhe si rezultat nuk është shpallur konkurs për pranimin e studentëve të rinj. I njëjti pretendim është bartur edhe në një deklaratë të Lëvizjes Vetëvendosje të datës 16 korrik 2014.

AKA konsideron që një pretendim i tillë nuk qëndron dhe ofron këto sqarime: Aplikacion i vonuar - Universiteti i Prishtinës (UP) ka dorëzuar në AKA aplikacionin formal për trajtim të programeve të Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore (bashkangjitur si attach) afërsisht vetëm një muaj më parë, me 10 qershor 2014.

“Mirëpo Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), në mbledhjen e mbajtur me 1 korrik 2014, përpos çështjeve tjera, ka trajtuar edhe këtë aplikacion dhe ka marrë vendim që të futet në agjendën e vlerësimeve për mbledhjet e ardhshme. Duhet kujtuar që institucionet e arsimit të lartë janë të vetëdijshme se aplikacioni për akreditimin e programeve të tilla duhet të dorëzohet të paktën një vit para datës kur pritet të fillon procesi mësimor. Udhëzimi Administrativ mbi Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës, Nr.02/2013, neni 4, definon që ‘Një ofrues i arsimit të lartë që aplikon për akreditim duhet të dorëzojë një aplikacion në AKA, të paktën një vit para datës kur duhet të fillojë akreditimi’, thuhet në sqarimin e AKA.

Me këtë rast AKA dëshiron të sqaroj se pretendimet e raportuara rreth deklarimit të Lëvizjes Vetëvendosje se ky rast mund të jetë indikacion i standardeve të dyfishta nuk qëndron.

“Rasti në fjalë dhe vonesat mund të jenë çështje e neglizhencës së institucionit arsimor. AKA trajton brenda afatit ligjor vetëm programet për të cilat pranon kërkesë – rrjedhimisht nuk kishte mundësi të trajtonte një program për të cilin nuk kishte pranuar kërkesë për këtë afat ligjor. AKA mirëkupton shqetësimet e ngritura dhe çmon përkushtimin e hisedarëve për të senzibilizuar opinion publik rreth rëndësisë së cilësisë dhe mbarëvajtjes së arsimit të lartë e posaçërisht në fushat deficitare. Sidoqoftë, institucioni potencon që përmbajtja e deklaratës është e keqdrejtuar në mungesë të informacionit dhe pretendim që shfajëson neglizhencën e institucioneve arsimore në kurriz të imazhit të AKA”, vazhdohet në sqarimin e AKA.

Në këtë drejtim AKA kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore, partitë politike, organizatat qeveritare e jo qeveritare qe të respektojnë pavarësinë e saj të garantuar me ligj dhe të mos e pengojnë atë në ushtrimin e veprimtarisë se saj.

“AKA dëshiron të siguroj studentet, prindërit e tyre dhe të gjitha palët e interesit se AKA do te vazhdoj punën e saj transparente dhe profesionale si deri me tani duke respektuar legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës si dhe standardet dhe praktikat me të mira evropiane për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë”, përfundohet në reagimin e AKA. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)