Anulohet greva e SBASHK-ut
Prishtinë, 11 prill - Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka anuluar grevën e paralajmëruar me 13 prill pasi sot Qeveria e Kosovës e ka proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit në vitet 1990-1999.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari në një prononcim për KosovaPress tha se lajmin për procedimin e këtij projektligji drejt Kuvendit të Kosovës e ka marrë vetëm nga mediat, pasi ende nuk ka marrë asgjë zyrtare.
Duke e përgëzuar Qeverinë Haradinaj për vendimin e saj, Jashari tha se pasi sot Qeveria i ka dhënë ‘dritën e gjelbër’ për në Kuvend projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit në vitet 1990-1999, greva e 13 prillit anulohet.
“E përgëzoj më në fund Qeverinë Haradinaj dhe po them me veprimin e sotëm, me votimin e projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës u dha ‘drita e gjelbër’ nga Qeveria që ai pastaj të shkoi me procedurat e rregullta në parlament."
"Kjo ishte kërkesa më sublime e anëtarësisë sonë dhe me tejkalimin e këtij problemi pra me aprovimin e këtij ligji nga Qeveria, dhe karshi kësaj duke parë se edhe në kërkesat tona tjera hap pas hapi jemi duke punuar me ministritë gjegjëse në konsultim me kryetarët e nivele komunale dhe të universitetit e konsideruam se arsyeja për grevë është tejkaluar, që nënkupton se greva e 13 prillit anulohet, nuk do të mbahet , ngase kërkesa sublime e mësimdhënëseve për të Kosovës për vitet më të ndritura u bë realitet”, tha ai.
Jashari tha se presin nga Qeveria e Kosovës që t’i përfillin kërkesat tjera të SBASHK-ut që lidhen me ligjin e punës dhe pagave.
Ndryshe, SBASHK-u ka mbajtur edhe dy greva në muajin shkurt dhe një në muajin mars, duke kërkuar që projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit të viteve 1990-1999 të kalojë për miratim në Kuvend.