Ambasadori Delawie konfirmon mbështetjen për rektorin Zejnullahu

Prishtinë, 13 tetor - Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof.dr. Ramadan Zejnullahu priti sot në takim ambasadorin e SHBA në Kosovë, Greg Delawie, të cilin e informoi për të arriturat dhe sfidat me të cilat po përballet Universiteti i Prishtinës.
Ambasadori Delawie konfirmoi, edhe një herë, mbështetjen e fuqishme amerikane për ngritjen e cilësisë në Universitetin e Prishtinës, si kontribut zhvillimit të arsimit të lartë në Kosovë.
Ambasadori Delawie, ndër të tjera, tha se ngritja e cilësisë lidhet drejtpërdrejt me ngritjen e nivelit të stafit akademik dhe theksoi se diplomat cilësore mundësojnë punësim më të lehtë dhe vazhdim të studimeve pasdiplomike jashtë vendit.
Rektori Zejnullahu falenderoi ambasadorin Delawie për mbështetjen që Qeveria e SHBA i jep Universitetit të Prishtinës, në veçanti përmes Programit të Lidershipit Transformues nga i cili përfitojnë disa njësi akademike të Universitetit.