Alush Musaj zgjedhet rektor i Universitetit të Mitrovicës
Mitrovicë, 2 korrik - Këshilli Drejtues i Universitetit të Mitrovicës Isa Boletini (UMIB), ka zgjedhur të enjten për rektor të këtij universiteti, prof.asoc.dr.Alush Musajn.
Për rektor të UMIB-it përveç Musajt, kishin konkurruar edhe prof. dr. Qerim Selimi dhe prof.ass.dr. Muhamedin Hetemi.
Më zgjedhjen e rektorit është përmbyllur i gjithë procesi zgjedhor për drejtuesit e studentëve, drejtuesit e njësive akademike si dhe organeve drejtuese të Universitetit të Mitrovicës Isa Boletini (UMIB) të filluar me 12.03.2015.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konstatuar se procesi zgjedhor i organizuar në bazë të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) 03/2015, ka qenë i rregullt si për zgjedhjen e përfaqësuesve të studentëve ashtu edhe për organet dhe këshillat e njësive akademike.
Rektori Musaj, ka falënderuar anëtarët e Këshillit Drejtues për besimin e dhënë që ta udhëheqë Universitetin e Mitrovicës Isa Boletini.
Është nder dhe përgjegjësi e madhe që ta drejtoj një institucion sikur Universiteti i Mitrovicës, tha ai.
Ndryshe Universiteti i Mitrovicës Isa Boletini është themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 06.03.2013, ndërsa vendimi është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës më 31.05.2013. Në kuadër të UMIB-it funksionojnë 6 fakultete me 23 programe të ndryshme.
Në vitin akademik 2014/15 në UMIB ka pasur mbi 2700 studentë të regjistruar.