Albanologu Papas Antonio Belushi, nderohet me mirënjohje
Prishtinë, 25 qershor - Nën organizim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministrisë së Dialogut u mbajt ceremonia për ndarjen e mirënjohjes për albanologun e njohur Dr. Papas Antonio Belushi, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në hulumtimin e thelluar të kulturës shqiptare në shtrirje gjithëkombëtare si dhe për kontributin e tij të veçantë në veprën Arbërorët arvanitë një popull i padukshëm, përkatësisht për zbulimin dhe kultivimin e rrënjëve të shqiptarizmës.
Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, në fjalën e saj vlerësoi lartë veprën e Dr. Papas Antonio Belushi ku ndër të tjerash tha: \"Vetë titujt e veprave të tij siç është Arbërorët një popull i padukshëm tregon fuqinë e tij si i bëri të dukshëm përmes veprës së tij studimore dhe jetësore, si dhe titulli i veprës së tij Gjaku i shprishur është një mesazh për kombin tonë që tregon se gjaku nuk është ujë dhe se shqiptarët përkundër sfidave që i patën në historinë tonë qoftë me pavarësinë e Shqipërisë, qoftë me pavarësinë e Kosovës, qoftë më sfidat tona për një bashkim kombëtar, ai tregoi që ne gjakun e kemi shqiptar dimë ta duam, ta forcojmë, ta përparojmë dhe dimë të mbajmë lidhjet mes shqiptarëve kudo që janë në territoret shqiptare por edhe me shqiptarët që janë në diasporë.
Unë vetëm desha ta ndaj me ju një moment kur kisha shkuar në vitin 1985 në Kalabri në një vizitë timen private por me dëshirë që të takoja arbëreshët, e kisha një mikeshë mbesa e Skënderbeut Augusta Kastriota Skënderbe dhe i kërkova të shkojmë në kishën e Kozencës dhe takojmë zotëri Belushin dhe po ju them që nga ajo kohë mora përgjigje që ai ishte në Greqi në studime arvanitase pra, që nga ajo kohë daton interesimi i tij\".
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin albanologu Dr. Papas Antonio Belushi, ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, zëvendës ministrja e Arsimit, Anila Statovci, si dhe këshilltarja politike e Ministres për Dialogun, Arjeta Rexhaj.