AKK prezantoi sistemin e aprovimit të kualifikimeve
Prishtinë, 29 nëntor - Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) me përkrahje nga projekti i menaxhuar nga Komisioni Evropian - EU Kosvet V, mbajti konferencë rajonale në Pejë të martën, më 29 nëntor 2011.
Në konferencë u shpalosën të rejat rreth implementimit të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (KKK).
Në konferencë morrën pjesë përfaqësues nga Autoriteti, Drejtoria Komunale e Arsimit, inspektorët rajonal të arsimit profesional, si dhe përfaqësuesit e ofruesve të arsimit dhe aftësimeve profesionale.
AKK prezantoi edhe sistemin e aprovimit të kualifikimeve dhe akreditimin e institucioneve të cilat do të vlerësojnë dhe lëshojnë këto kualifikime.
Kualifikimet do të miratohen për tu përfshirë në KKK-në e re e cila mundëson që këto kualifikime të krahasohen me ato ndërkombëtare në përputhje me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve.
Në konferencë u diskutuan edhe rezulatet e një testimi të kryer më herët gjatë vitit tek ofruesit a Arsimit dhe Aftësimit Profesional duke përfshirë shkollat profesionale, qendrat e aftësimit profesional dhe ofruesit jo formal të aftësimit.
Rezultatet e testimit tregojnë që kualifikimet profesionale gjithnjë e më tepër janë duke u hartuar në atë mënyrë që fokusohen në nevojat e tregut të punës dhe gradualisht janë duke rezultuar me ngritje të cilësisë në arsim dhe aftësim në përputhje me standardet Evropiane.
Ky testim, së bashku me konferencat informuese rajonale mbështetet nga projekti i KOSVET V, financuar nga Bashkimi Evropian.
AKK do të fillojë me procesin e validimit të kualifikimeve profesionale si dhe akreditimit të ofruesëve të trajnimit publik dhe privat që nga viti i ardhshëm 2012.
Puna e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve dhe partnerëve të saj të cilët punojnë në zhvillimin e kualifikimeve me standarde Evropiane për Kosovën do të ndihmojë në punësimin e personave të kualifikuar dhe do të rrisë njohjen e shkathtësive dhe kompetencave të tyre në tregjet vendore dhe ndërkombëtare të punës.