26 Dhjetor 2024

Ahmeti: Arsimi është prioritet i Komunës

Prishtinë, 11 shkurt - Komisioni për Arsim takohet me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Çështja e arsimit, që nga ai parashkollor e deri në atë të mesëm, është prioritet i institucioneve të Komunës.

Legjislacioni nga fusha e arsimit, mbarëvajtja e procesit edukativo-mësimor në shkollimin parashkollor, fillor dhe atë të mesëm, problemet me të cilat ballafaqohet ky segment i rëndësisë së veçantë për shoqërinë,ishin disa nga temat e takimit të sotëm të  Komisioni  për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit, dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, takim që u zhvillua në ambientet e Komunës së Prishtinës.

Duke u falënderuar për pritjen, Nait Hasani theksoi se kjo vizitë bëhet në kuadër të angazhimit të Komisionit për monitorimin e ligjeve, përkatësisht për të parë nga afër se sa e si zbatohen ato, si dhe cilat janë vërejtjet në dispozitat e ligjeve  nga segmentet e ndryshme në fushën e arsimit.

Në këtë frymë, ai premtoi bashkëpunimin e Komisionit në  të gjitha segmentet, me të cilat ballafaqohen institucionet e shkollimit.

Në fjalën e tij, Shpend Ahmeti theksoi se çështja e arsimit që nga ai parashkollor e deri në atë të mesëm është prioritet i institucioneve të Komunës. Në këtë vështrim, ai veçoi posaçërisht arsimin parashkollor, ndaj të cilit shoqëria jonë nuk ka treguar interesim të duhur, duke u nisur gjithnjë nga një lloj perceptimi se në fazat e arsimit, ai i larti është segmenti kryesor. Kjo dukuri, madje ka qenë e pranishme edhe në shtete të tjera të Ballkanit. Ndërkaq, shtete të zhvilluara siç është për shembull, Finlanda, kujdesin më të madh ia kushton, sidomos fazës parashkollore të arsimimit dhe edukimit, pohoi Shpend Ahmeti.

Gjatë debatit folësit u angazhuan për ndryshimin e disa dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me shkollimin e kuadrove në Fakultetin e Edukimit dhe në disa universitete private, të cilat do të reflektoheshin pozitivisht në sigurimin e kuadrove përkatëse, me njohuri të duhura e sipas standardeve më të larta të mësimdhënies, në shkollimin fillor dhe atë të mesëm. Nga disa diskutues u përmendën edhe parregullsi në zbatimin e ligjeve, sidomos kur është fjala për licencimin e programeve të studimeve, por edhe shkelje të dispozitave ligjore etj.

Deputetët u njohën edhe me disa aktivitete e projekte që do të zbatoheshin në shkollim, siç është qëndrimi gjithë ditor i nxënësve në shkolla,përmirësimi i programeve në shkollat profesionale, luftimi i dukurive negative etj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)