AAK: UP, në krizë shkaku i politizimit të skajshëm
Prishtinë, 24 janar - AAK me shqetësim të thellë po e përcjellë gjendjen e rëndë të krijuar pas shpërthimit të aferës së fundit në Universitetin më të madh publik të vendit.
Universiteti Hasan Prishtina, si bartës i të gjitha ngjarjeve të mëdha historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, vazhdon të mbetet në një krizë të thellë për shkak të qeverisjes joefektive dhe politizimit të skajshëm për nevojat e partisë në pushtet.
Trendi i degradimit në vend që të stopohet, po vazhdon me intensitet të shtuar, me trefishimin e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, mosrespektimin e konkursit për studimet e doktoraturës, pranimin e personelit arsimor edhe për lëndët që nuk ekzistojnë, duke kulmuar me rastin e fundit, aprovimin e gradave shkencore bazuar në punimet false.
AAK kërkon nga Senati si organ akademik dhe Bordi i UP-së si organ qeverisës, të dalin menjëherë me vendime konkrete, për zbardhjen e situatës së kërkuar dhe vënies para përgjegjësive të bartësve të këtyre dukurive, të cilat minojnë të drejtën universale të të rinjve tanë për arsim cilësor.
Në situatën e krijuar Bordi i UP duhet të zbatoj menjëherë kompetencat që i janë dhënë me Statutin e UP-së, shqyrtimin e zbatimit të nenit 20 të Statutit të UP-së, për Rektorin Gashi dhe nenin 142 të Statutit për të gjithë profesorët që kanë përfituar grada akademike me rrugë jo ligjore.