AAK: Kërkesat për dorëheqjen e rektorit janë të papranueshme
Prishtinë, 5 dhjetor - AAK është e shqetësuar me situatën e rëndë të krijuar në Universitetin Hasan Prishtina pas kërkesës ultimative të disa krerëve të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së për regjistrimin e 1050 studentëve pa i plotësuar kriteret bazë të të parapara me konkurs.
AAK respekton të drejtën legjitime të pjesëtarëve të familjeve të të gjitha kategorive të dala nga lufta për lehtësira të përcaktuara vetëm sipas dispozita ligjore në fuqi.
AAK shpreh papranueshmërinë me vendimin e ministrit Buja dhe e vlerëson këtë akt, si antiligjor dhe tejkalim i kompetencave të MASHT-it duke ndërhyrë drejtëpërsëdrejti në autonominë e universitetit më të madh publik të vendit.
AAK shpreh mospajtim të plotë me veprimet agresive të disa krerëve të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe tendencat imponuese për gjetjen e zgjidhjes jashta kuadrit ligjor.
AAK konsideron se presioni dhe kërkesat për dorëheqjen e rektorit janë të papranueshme dhe nuk kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve në Universitetin Publik Hasan Prishtina.
Universitetet janë sinonim i vlerave edukative, arsimore dhe shkencore të cilat duhet të kultivohen pa përzierje dhe ndërhyerje nga jashtë.