700 euro vlera e bursës në UP
Prishtinë, 6 mars - Këshilli Drejtues (KD) i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, ka marrë vendim që lartësia e bursës, të cilën e ndan ky universitet, të jetë 700 euro.
Lajmin e ka konfirmuar për Epokën e re, kryesuesja e Këshilli Drejtues të UP-së, Shefkije Islamaj. Në mbledhjen e së enjtes Këshilli Drejtues ka marrë vendim që vlera e bursës të jetë 700 euro, ka thënë Islamaj.
Ditë më parë po ky Këshill, me kërkesë të rektorit Ramadan Zejnullahu e pati zbritur çmimin e bursës nga 900 sa ka qenë, në 600 euro.
Pas zbritjes së çmimit të bursës në 600 euro pati reaguar Parlamenti i Studentëve të UP-së, të cilët patën thënë se zbritja e çmimit të bursave është e papranueshme.
PSUP-ja pati vlerësuar se UP-ja nuk jep bursë sociale por, stimulative për studentët e dalluar. Ata kanë kërkuar edhe nga Këshilli Drejetues edhe nga Ministria e Arsimit që të kthehet çmimi i mëhershëm.