6 studentë nga Kosova përfitojnë bursë për Kolegjin Dartmouth
Prishtinë, 18 dhjetor - Zëvendësministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, nënshkroi të mërkurën kontratat me gjashtë studentë, të cilët janë përfitues të bursës dy mujore në Dartmouth.
Këto bursa janë bërë të mundura nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Dartmouth College, EYE Venture dhe Balkan Institute.
Zëvendësministri Nikaj pasi i uroi studentët për suksesin, ju tha atyre se kur të kthehen në Kosovë do të punojnë në biznese të cilat do të jenë të suksesshme dhe do ti kontribuojnë zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Ai ka shprehur besimin e plotë së edhe kjo gjeneratë, ngjashëm me gjeneratën paraprake, do të kenë një eksperiencë shumë të mirë dhe do të tregojnë përkushtim dhe sukses në programin që do të ndjekin. Sivjet jemi në një situatë më të mirë se vitin e kaluar, sepse i kemi qendrat e ndërtuara, vitin e kaluar studentët kanë pritur sepse skemi pasur diçka konkrete për ta për shkak se është zhagitur qendra inovative në Gjakovë, ka thënë Nikaj.
Kjo iniciativë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është bërë e mundur në bashkëpunim me Kolegjin Dartmouth dhe Institutin Ballkanik ku gjashtë studentë apo ndërmarrës nga Kosova do të kenë rastin ideal për të mësuar se si të bëhet ideja e biznesit realitet. Kursi do të nis me 8 Janar të vitit 2014.
Në mars të vitit 2014, kur kandidatët të kthehen nga SHBA-të, do ta kenë derën e hapur në Qendrën Inovative në Gjakovë, ku do të fillojnë biznesin e tyre. Kjo qendër ka për qëllim mbështetjen e zhvillimit ekonomik, uljen e papunësisë dhe në veçanti përkrahjen e bizneseve fillestare.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë mbetet e përkushtuar për të përkrahur sektorin privat në Kosovë.