57 shkolla furnizohen me kabinete të teknologjisë informative
Prishtinë, 19 qershor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në mes përfaqësuesve të Drejtorive Komunale të Arsimit dhe Projektit Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit dhe Mësimi Elektronik në Arsim-faza II, i financuar nga BE-ja dhe i bashkëfinancuar nga MAShT.
Ministri Bajrami me këtë rast theksoi se, nënshkrimi i kësaj marrëveshje bashkëpunimi i vendosë themelet e një bashkëpunimi të sinqertë në mes të Bashkimit Evropian dhe MAShT-it, bashkëpunim i cili synon të ngrisë cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies, përmes aplikimit të mësimit elektronik në sistemin arsimor të Kosovës.
Ministri Bajrami, po ashtu, theksoi se ofrimi i kushteve të përshtatshme nëpër shkollat e Republikës së Kosovës mbetet një përkushtim i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë përpjekje të vazhdueshme në procesin e digjitalizimit të shkollave, proces ky që në masë të madhe është përkrahur nga donatorët. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin dhe përkrahjen që kemi marrë nga Bashkimi Evropian në këtë fushë dhe mbesim me shpresë që ky bashkëpunim do të jetë edhe më frytëdhënës në të ardhmen, theksoi ministri Bajrami.
Ndërsa, Libor Chald nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se, për të qenë në përputhje me nevojat e tregut të punës, nxënësit duhet të pajisen me shkathtësi të cilat kërkohen nga punëdhënësit. Ai theksoi se shkatësitë në fushën e TIK-ut janë shumë të rëndësishme, porse për tu pajisur me këto aftësi, paraprakisht, shkollat duhet të jenë të pajisura me teknologji moderne.
Përmes këtij projekti Bashkimi Evropian ndanë 4.5 milion euro donacion për aplikimin e TIK-un në shkollat e Kosovës.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit përmes projektit Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit dhe Mësimi Elektronik, që financohet nga BE-ja dhe bashkëfinancohet nga MAShT-i, do të mundësohet furnizimi i 57 shkollave me infrastrukturë të TIK-ut dhe përfitues do të jenë të gjitha grupet etnike që jetojnë në Kosovë, si dhe institucionet që ofrojnë arsim për fëmijët me nevoja të veçanta.