23 Dhjetor 2024

5.4 milionë euro për programin Tempus

Prishtinë, 7 nëntor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja,  mbajti sot konferencë për media lidhur me projektet e financuara nga programi i Tempus-it, në shumën prej 5.4 milionë euro, përfitues të së cilave janë Universitet Publike dhe Institucionet Private të Arsimit të Lartë në Kosovë.

Ministri Buja me këtë rast tha se është shënuar përparim i dukshëm në procesin e reformimit të Arsimit të Lartë dhe se MAShT vazhdimisht është duke punuar në ngritjen e cilësisë së Arsimit të Lartë, sipas kërkesave të Deklaratës së Bolonjës.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e ka inicuar krijimin e grupit punues ndërmjet tri ministrive: Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Punëve të Jatshme dhe Ministrisë për Integrime Evropiane në mënyrë që në vitin 2015, të aplikojë përsëri për t’u bërë anëtare e shteteve, të cilat e kanë nënshkruar deklaratën e Bolonjës”, ka thënë ministri Buja.

Ministri Buja, po ashtu, ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit është duke e zbatuar Ligjin dhe Strategjinë për Zhvillimin e Arsimit të Lartë, Strategjinë për Inovacion dhe Shkencë në Republikën e Kosovës, me synim për të ndërtuar një sistem bashkëkohorë të Arsimit të Lartë.

Më tej, ministri i Arsimit vlerësoi se programi i Tempus-it, përmes projekteve të saj, kontribuon drejpërdrejtë në zhvillimin e kurrikulave, bashkëpunimin me shoqërinë, menaxhimin e universitetit dhe trajnimin e mësimdhënësve.

Sipas ministrit Buja, politikat e Arsimit të Lartë nuk janë vetëm punë të cilat duhet t’i jetësojë Ministria e Arsimit, por janë edhe angazime të vazhdueshme për një arsim modern, i cili nënkupton qasje ndërsektoriale dhe ndërministrore dhe një liri të plotë akademike dhe financiare të Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Ndër të tjera, ministri Buja ka theksuar se projektet e Tempus-it do të fillojnë të realizohen në dhjetor të vitit 2013 dhe do të përkrahin reformat, të cilat MAShT i ka filluar në Fakultetin e Edukimit, në krijimin e Unionit Nacional të Studentëve, në ngritjen e kapaciteteve menaxhuese të financave dhe rritjen e autonomisë akademike në të gjitha Universitetet Publike.

“Vlen t’i përmendim Istitucionet e Arsimit të Lartë që kanë përfituar projekte, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera ndërkombëtare. Universiteti i Prishtinës ka fituar nëntë projekte, gjashtë për zhvillimin dhe reformimin e planprogrameve dhe tri për reformimin e strukturave menaxhuese, Universiteti i Pejës ka përfituar katër projekte në ngritjen e cilësisë, në ngritjen e autonomisë financiare, në ndërlidhjen e bashkëpunimit shkencë- shoqëri, si dhe në themelimin e unionit të studentëve: Universiteti i Prizrenit ka përfituar dy projekte, Kolegji Universum në bashkëpunim me Kolegjin Riinvest së bashku kanë përfituar një projekt dhe kolegji UBT ka fituar një projekt”, ka thënë ministri.

Ministri Buja ritheksoi faktin se  edhe pse Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë punojnë në tri cikle Bachelor, Master dhe PhD, në katër Universite Publike dhe njëzetetre Bartës Privat të Arsimit të Lartë, vendi ynë ende nuk është nënshkrues i Procesit të Bolonjës dhe nuk i gëzon të drejtat sikurse shtetet fqinje, pra studentët kosovarë nuk e gëzojnë të drejtën themelore të lëvizjes së lirë pa viza në shtetet e rajonit dhe shtetet evropiane.

Ndërsa, kreu i Sektorit për Bashkëpunim nga zyra e BE-së, z.Christof Stock tha se projektet në fjalë kanë për qëllim zhvillimin e kurrikulave të Arsimit të Lartë, këmbimin e studentëve me shtetet anëtare të Deklaratës së Bolonjës dhe ndarjen e mjeteve për ngritjen e cilësisë dhe kërkime shkencore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)