35 studentë, përfitues të bursës Young Cell
Prishtinë, 7 qershor - Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku së bashku me përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, kanë prezantuar sot gjeneratën e X të përfituesve të bursës Celula e të Rinjve (Young Cell) .
Ministri Çollaku ka theksuar se 35 përfituesit e sivjetmë të bursave të nivelit Master do të kenë mundësi të studiojnë në fushën e ekonomisë, administratës publike si dhe legjislacionit në universitete më prestigjioze në shtetet anëtare të BE-së.
Me anë të këtij programi Young Cell ne kemi arritur të identifikojmë përmes një procesi rigoroz të përzgjedhjes, të rinjtë më të talentuar të vendit. Ju, bursistë dhe kolegë të ardhshëm, do të jeni ambasadorë tonë të dijes në universitetet më prestigjioze evropiane, ka thënë ministri Çollaku.
Po ashtu ka theksuar se këta bursistë do të mbajnë barrën dhe përgjegjësinë e ndryshimit të administratës publike në Kosovë.
Ministri Çollaku po ashtu ka falënderuar Komisionin Evropian për përkrahjen financiare të Programit dhe Këshillin Britanik për menaxhimin e bursës Young Cell, përderisa bursistëve u ka dëshiruar një vit akademik sa më të suksesshëm në universitetet ku do të studiojnë.