23 Dhjetor 2024

30 mijë maturantë i nënshtrohen provimit të Maturës

Prishtinë, 2 maj - Një muaj para mbajtjes së PROVIMIT të Maturës, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), gjegjësisht Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQSHM), i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.

Nehat Mustafa, zëvendësministër i Arsimit, njëherësh kryetar i KQSHM-së, ka thënë se provimit të Maturës 2013 priten t’i nënshtrohen rreth 30 mijë maturantë. Sipas Mustafës, përgatitjet kanë shkuar mirë dhe maturantët janë informuar me kohë nëpërmjet broshurave informuese. Ai ka bërë me dije se dita e parë e provimit të Maturës do të mbahet më 1 qershor, kurse dita e dytë më 15 qershor.

Po ashtu, Mustafa ka treguar se në administrimin e provimit do të marrin pjesë edhe stafi akademik i universiteteve publike. “Të gjitha përgatitjet për Maturën 2013 janë kryer, pasi ne kemi filluar të përgatitemi në tetor të vitit 2012. Grupet e ekspertëve kanë punuar në hartimin e pyetjeve. Më herët janë përcaktuar standardet”, ka thënë Mustafa.

Ai ka deklaruar se përcaktimi i lëndëve është bërë në konsulta me maturantët, me DKA-të, drejtorët e shkollave dhe rrjetin e rinisë. “Këtë vit do të kemi të organizuar dhjetë lloje të testeve të maturës.

Çdo lloj testi do t’i ketë nëngrupet e ndara. Do të vazhdojmë me sistemin që kemi filluar vitin e kaluar, ku do të jenë 200 pyetje, 120 në ditën e parë dhe 80 të tjera në ditën e dytë. Provimi i parë do të mbahet më 1 qershor, kurse i dyti më 15 qershor”, është shprehur Mustafa. Ai ka thënë se këtë vit nuk do të ketë ndryshime prej Maturës së vitit të kaluar.

Matura 2012, sipas tij, ka dhënë rezultatet e veta pozitive pasi ka qenë më i pranueshëm për maturantët. “Duke qenë se ka rezultuar i suksesshëm ne do të vazhdojmë edhe këtë vit. Po ashtu, kemi iniciuar ndryshimin ose përplotësimin e Ligjit të Maturës. Besoj se këtë vit do të miratohet ligji. Po presim që matura e vitit të ardhshëm të realizohet konform ligjit të ri”, ka deklaruar Msutafa.

Matura digjitale, në 2015-n

Në vazhdim Mustafa ka treguar se digjitalizimi i provimit të Maturës do të fillojë në vitin 2015, fillimisht si pilot-projekt. Sipas tij, synohet që në vitin 2016 të mbahet provimi i maturës në mënyrë digjitale falë një kredie të butë që ka fituar Qeveria e Kosovës nga Austria e nga e cila 5 milionë euro i takojnë MASHT-it. “Jemi dëshmitarë të asaj se Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje për të fituar një kredi ashtu siç njihet në gjuhën e financave kredi e butë. Është paraparë që në kuadër të asaj kredie 5 milionë të jenë për MASHT-in, me qëllim të digjitalizimit të procesit të maturës, por edhe digjitalizimit të teksteve”, është shprehur Mustafa.

Mustafa ka treguar se një kompani austriake e ka fituar të drejtën për ta përgatitur maturën digjitale. “Është kompania e njohur austriake për teknologji BIT, e cila ka një nënkontraktor në Kosovë. Synojmë që shumë shpejt të fillojmë këtë aktivitet. Natyrisht do të duhet punë shumë e madhe për arsye se është një plan që parasheh vendosjen e serverëve, pajisjen e shkollave me teknologji informative, ose krijimin e qendrave të veçanta. Po mendojmë, sipas një plani dinamik, që matura digjitale të pilotohet në Kosovë në vitin 2015”, ka treguar ai.

Gjithashtu, Mustafa ka thënë se Kosova është shteti i parë në rajon që fillon me maturën digjitale. “Mos të harrojmë se gjatë kësaj kohe do të përforcohet edhe lënda e Teknologjisë së Informimit nëpër shkollat e mesme, pasi çdo maturant duhet ta njohë mirë punën me kompjuter.

Pra, pilotimi do të bëhet në vitin 2015, ndërsa në 2016 do të fillojë procesi i maturës digjitale në të gjithë Republikën e Kosovës. Ky është plani, por nëse do të arrijmë të përshpejtohet ky plan, atëherë kjo do të ndryshojë”, ka deklaruar Mustafa. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)