2013-ta vit i pesimizmit të rinisë kosovare
Albulena S. MAVRAJ
Prishtinë, 4 janar - Të rinjtë e Kosovës kanë vlerësuar se 2013-a nuk ishte vit i favorshëm për ta. Papunësia e lartë, niveli i varfërisë, korrupsioni, nepotizmi ishin shkaqet kryesore të cilat kanë bërë që një pjesë e rinisë ta marrë rrugën e kurbetit.
Avdullah Hasani, president i Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës (KREK): Në vitin që po e lëmë pas rinia kosovare e kishte humbur vullnetin e saj për angazhime, pasi e ka parë mungesën e iniciativave nga ana e institucioneve të Kosovës për ti përkrahur dhe jetësuar programet e idetë e tyre.
Papunësia, korrupsioni në arsim, analfabetizmi në rritje, delikuenca e të miturve, mosrritja e fondeve për aktivitete studentore, izolimi nga lëvizja e lirë në vendet e Evropës si dhe shfrytëzimi i të rinjve nga partitë politike vetëm në kohën e fushatave zgjedhore janë disa nga elementet që tregojnë pozitën reale të të rinjve të Kosovës gjatë vitit që e lamë pas.
Uroj që viti 2014 të jetë i suksesit dhe i angazhimeve për sektorin e rinisë. Apeloj tek institucionet të jenë më aktive dhe të punojnë për fuqizimin e vlerave rinore dhe për angazhimin e të rinjve në ndërtimin e shoqërisë së paqes.
Hazbi Kadriu, master në Fakultetin Ekonomik: Kosova gjatë vitit 2013 është karakterizuar me nivel të ulët të diversitetit si në aspektin e zhvillimit ashtu dhe në atë të prodhimit, pasi niveli i importit dominon në ekonominë kosovare. Problemet e papunësisë, korrupsioni dhe emigrimi i të rinjve të kualifikuar ishin problemet kryesore që e kanosën zhvillimin ekonomik dhe imazhin e Kosovës gjatë vitit që po e lëmë pas.
Dua ta përmend një thënie të presidentit zviceran, i cili gjatë vizitës në Kosovë, pas takimit me presidenten e Kosovës, tha: Investimet e biznesmenëve zviceranë në Kosovë kanë rënë për shkak të sigurisë jo të kënaqshme dhe korrupsionit që ka Kosova. Pra, niveli jo i kënaqshëm i sigurisë në Kosovë dhe korrupsioni i lartë janë shkaqet të cilat kanë ndikuar në rënien e investimeve. As viti 2014 nuk mund të themi se do të jetë i favorshëm për rritje të investimeve të huaja.
Qëndresë Shillova, studente e Fakultetit Juridik: 2013-ta në aspektin e përgjithshëm nuk ka qenë vit i ndryshimeve të mëdha. Rinia është përballur me probleme të njëjta pothuajse sikur ato të vitit paraprak. Një ndër to është edhe papunësia. Shpresoj se në vitin që po lëmë pas, bashkë me të përfundojnë edhe problemet me të cilat po përballet rinia kosovare tash e sa vite. Uroj që 2014-a të jetë viti i realizimit të aspiratave të të rinjve dhe një ndër vitet e ndryshimeve pozitive.
Migjen Maxhari, student i studimeve master në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore: Gjatë vitit 2013 në Kosovë kanë mbizotëruar një varg problemesh të njëjta të shoqërisë sonë. Problemet më të mëdha kanë qenë në aspektin politik dhe aspektin socio-ekonomik, duke veçuar problemet me papunësinë e lartë, nivelin e varfërisë si dhe korrupsioni.
Të gjitha këto vështirësuan jetën e të rinjve kosovarë, pastaj ishin dhe negociatat me Serbinë. Mirëpo sa i përket vitit 2014 mbetet të shpresojmë për më shumë mirëqenie, dinjitet social dhe ekonomik. Presim që në 2014-n të ketë zhvillime më të mira politike, që do të ndikojnë në përmirësimin e kushteve për të rinjtë.
Ibadete Gashi, studente në Fakultetin Pjetër Budi: Viti 2013 në aspektin e zhvillimit nuk ka qenë i mbarë dhe premtues për rininë kosovare. Për shkak të moszhvillimit ekonomik shumë qytetarëve u është vështirësuar jeta, duke u përballur kështu me papunësi, varfëri dhe korrupsion.
Në vitin që po lëmë shumë të rinj kosovarë kanë lënë Kosovën dhe janë nisur drejt rrugës së kurbetit, edhe pavarësisht faktit se ata kishin diplomë. Papunësia e lartë dhe nepotizmi i theksuar kanë bërë që ata të detyrohen ti marrin rrugët ilegale të shpërnguljes. Në vitin 2014 shpresoj se gjërat do të shkojnë më mirë.
Artur Krasniqi, student i Fakultetit Ekonomik: Viti 2013 është karakterizuar me shumë vështirësi pasi Kosova është përballur me nivel të lartë të papunësisë dhe varfërisë, kurse debalanci tregtar në mes të eksportit dhe importit ishte mjaft shqetësues. Kosova posedon asetin më të rëndësishëm, që është rinia, mirëpo në mungesë të zhvillimit ekonomik dhe shkallës së papunësisë, rinia detyrohet që në mënyrë ilegale ta lëshojë Kosovën, pavarësisht faktit se janë të kualifikuar. Rinia e Kosovës është e përkushtuar për një të ardhme më të mirë.
Në vitin që e lamë pas një numër i madh i të rinjve me fakultet dhe master të përfunduar u detyruan ta braktisin Kosovën në mënyrë ilegale, duke shpresuar se në botën e jashtme do ta gjejnë një jetë më të mirë. Sa i përket vitit 2014 mbetet të shpresojmë për një kthim të shpresës dhe dinjitetit të rinisë kosovare.
Gëzime Shehu, studente e Fakultetit Ekonomik: Gjatë vitit 2013 nuk është vërejtur ndonjë përmirësim i dukshëm për rininë. Është shumë delikate çështja e rinisë së Kosovës. Rinia është ajo e cila mbetet gjithmonë ardhmëria e çdo vendi, andaj duhet ta ketë vëmendjen e duhur nga institucionet e vendit.
Gishti kundrejt fajtorit për një çështje delikate në të cilën ndodhet rinia është më së i qartë, kurs në këtë hap askush nuk po ndërmerr asgjë. E kuptoj se jemi një shtet i vogël, njëkohësisht i varfër, mirëpo është koha të fillojmë për ndryshime dhe ti kërkojmë të drejtat për tu shpërblyer mundi ynë. Gjatë vitit 2014 shpresoj në përmirësim dhe ngritje të nivelit të jetesës.
Edmond Gjikokaj, student i Fakultetit të Shkencave Sportive: Viti 2013 ka qenë jo i suksesshëm për Kosovën dhe i vështirë për rininë kosovare. Ky vit që po lëmë pas u karakterizua me papunësi, varfëri dhe korrupsion të madh e të gjitha këto janë indikatorë të zhgënjimit të rinisë kosovare.
Unë si i ri i Kosovës jam i pakënaqur me gjendjen momentale, pasi rinia jonë përballet me papunësi të lartë dhe se nuk mund të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes. Ndërsa për vitin 2014 mbetet vetëm të shpresojmë se do të jetë më mirë.
Enis Neziraj, student në Fakultetin Ekonomik: Viti 2013 nuk mund të konsiderohet i suksesshëm për rininë. Ky vit është karakterizuar me papunësi dhe varfëri, madje ishin zgjedhjet dhe harxhimet e paarsyeshme për to, të cilat ndikuan në zvogëlimin e buxhetit të Kosovës.
Mendoj se është një numër i madh i studentëve, sidomos në Fakultetin Ekonomik, të cilët kur ta përfundojnë fakultetin rrezikohen të mbesin të papunë, nëse nuk e kanë ndonjë lidhje në bazë të cilës do të punësohen. Kështu që, edhe gjatë vitit 2014 nuk presim ndonjë ndryshim.
Arlind Kryeziu, master i Ekonomisë: Kosova gjatë vitit 2013 kishte problemet e njëjta kronike sikurse gjatë vitit 2012, si pasojë e asaj që nuk është bërë diçka e mëhershme për zgjidhjen e këtyre problemeve ekonomike. Gjatë vitit që lamë pas ekonomia e Kosovës është ballafaquar me probleme të mëdha, si papunësia dhe varfëria, deficiti i lartë tregtar, numri i vogël i investitorëve të huaj, burokracia dhe korrupsioni, procesi i ngadalshëm në reformimin e ambientit biznesor, normat e larta të interesit nga ana e bankave komerciale në vend.
Problem tjetër ka qenë nepotizmi i ndikuar nga sistemi partiak, me çrast punësimi bëhet nga individët apo simpatizantët e partive në pushtet pa kualifikime apo pa vlera, gjë që ndikon në mirëqenien e rinisë dhe qytetarëve të Kosovës. Pastaj ishte edhe mosluftimi i korrupsionit, i cili duhet të luftohet nëpërmjet forcimit të gjykatave dhe forcimit të kontrollimit të brendshëm ne sistemin e prokurimit publik. Edhe viti 2014 nuk do të sjellë asnjë ndryshim të dukshëm, pasi mjetet buxhetore do të orientohen në investime kapital dhe konsum. Nuk ka asnjë orientim në zhvillimin e prodhimtarisë.
Gëzime Rexhepi, studente në Fakultetin Ekonomik: Viti 2013 është karakterizuar me papunësi të lartë, e cila ka ndikuar më shumë në rini. Arsyeja e kësaj mendoj se janë institucionet qeveritare së bashku me ato lokale, pasi duhet të jenë më bashkëpunuese në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve në Kosovë. Ndërsa për vitin 2014, duke analizuar po ashtu aprovimin e buxhetit nga ana e Parlamentit të Republikës së Kosovës, nuk pres ndonjë risi aq bindëse, e cila do të ndikonte në uljen e normës së papunësisë, sepse kemi shkurtime të shpenzimeve publike në vend dhe pritjet nuk janë as minimale për mbulimin e pragut të zhvillimit.