20 univesitete prezantojnë profilet akademike në Panairin e Studimeve
Gjilan, 24 prill - Në kampusin e shkollave të mesme në Gjilan, sot është hapur Panairi i Studimeve të universiteteve të Kosovës dhe regjionit, të cilët kanë bërë prezantimin e profileve që ofrojnë për këtë vit akademik si dhe sukseset e veçanta shkencore që kanë këto institucione akademike nëpër vite.
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazim Gagica, ka thënë se kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për maturantët e Gjilanit, që të kenë një orientim të duhur në profesion dhe karrierë gjatë të ardhmes.
“Ky panair i organizuar nga Komuna e Gjilanit, ka për qëllim që universitetet e Kosovës edhe ato regjionale t’i afroj afër nxënësve që të kenë mundësinë më të madhe për t’u orientuar në drejtimin më të mirë të mundshëm dhe në bazë të kësaj Drejtoria e Arsimit do ta bëjë këtë traditë të organizimit edhe në të ardhmen. Duhet të njihen të gjithë maturantët me mundësitë që ofrohen në lëmin e studimeve universitare dhe kushteve në të cilat studiohet. Këtë po e bëjmë së bashku dhe falënderoj të gjitha universitetet pjesëmarrëse”, ka thënë mes tjerash drejtori Gagica.
Ndërsa në emër të të gjitha universiteteve pjesëmarrëse, ka folur dekani i Fakultetit të Edukimit në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, prof. Jenuz Dervodeli, i cili ka falënderuar Komunën e Gjilanit për këtë panair organizuar për orientimin e të rinjve në studime.
“Zgjedhja e drejtë e profesionit nga të rinjtë është një fat personal i tyre, por, mbi të gjitha, përparim i shoqërisë. Kjo është një qasje fleksibile që po u mundësohet sot të rinjve. Maturantët të mendojnë me shumë arsye për drejtimin që zgjedhin, sepse e ardhmja është në dorën e të rinjve dhe në dorën e profesionistëve të mirë”, theksoi profesori Dervodeli.
Përndryshe, ky panair me përfaqësues të shumtë nga universitetet e ndryshme të Kosovës dhe regjionit është përcjellur me një kurreshtje të madhe nga maturantët e shkollave të Gjilanit.