20 shkolla furnizohen me pajisje të biologjisë, kimisë dhe fizikës
Prishtinë, 18 nëntor - 20 shkolla në Komunën e Prishtinës janë duke u furnizuar me pajisje të kabineteve të biologjisë, kimisë dhe fizikës.
Komuna e Prishtinës me qëllim të përmirësimit të kushteve infrastrukturore në shkolla që do të ndikojnë në ngritjen e cilësisë së arsimit, ka investuar në shkolla të ndryshme të kryeqytetit, varësisht nga kërkesat dhe nevojat e secilës shkollë.
Sipas planit të bërë nga Drejtoria Komunale e Arsimit, në kudër të realizimit të projekteve kapitale, tashmë janë rinovuar kabinetet e lëndëve të biologjisë, kimisë dhe fizikës në 20 shkolla. Ky projekt e arrin vlerën e 194.902 eurove.
Po ashtu, në disa shkolla janë inventarizuar edhe sallat e edukatës fizike, ndërsa janë rinovuar edhe tualetet e shkollës Sami Frashëri.
Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se Drejtori komunale e Arsimit është duke i krijuar të gjitha parakushtet për ngritjen e cilësisë në arsim.
Shkollat të cilat janë duke u furnizuar me pajisje të kabineteve të lëndeve të biologjisë, kimisë dhe fizikës janë: Emin Duraku, Dardania, Ismail Qemali, A.Z Çajupi, Mitrush Kuteli, Meto Bajraktari, Hilmi Rakovica, Asim Vokshi, Gjergj Fishta, Afrim Gashi Hajvali, Naim Frashëri, Ali Kelmendi, 7 marsi. Zenel Hajdini, Pjeter Bogdani, Pavarsia. Nazim Gafurri, Iliria, Sami Frashëri dhe shkolla Xhevdet Doda.