1601 kandidatë aplikojnë në Universitetin e Mitrovicës
Prishtinë, 20 korrik - Në konkursin e shpallur nga Universiteti i Mitrovicës Isa Boletini(UMIB) për pranimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2015/16, kanë aplikuar 1601 kandidatë. Sipas konkursit në vitin akademik 2015/16 do të pranohen 1242 studentë, prej tyre 1160 nga Kosova, 41 nga komunitetet dhe 41 nga jashtë.
Këta kandidatë kanë aplikuar për 6 fakultetet, përkatësisht 23 programet që funksionojnë në kuadër të tyre. Edhe sivjet interesimi më i madh ka qenë për Fakultetin e Edukimit, ku për 170 vende në të dy drejtimet, Fillor dhe Parashkollor, kanë aplikuar 855 kandidatë.
Në dy drejtimet e Fakultetit Ekonomik, Banka, Financa dhe Kontabilitet si dhe Menaxhment dhe Informatikë, për 220 vende kanë aplikuar 270 kandidatë. Ndërsa në Fakultetin Juridik për 130 vende kanë aplikuar 274 kandidatë.
Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike (FIMK), në tri drejtime: Makineri Prodhuese, Informatikë Inxhinierike dhe Inxhinieri Ekonomike, për 382 vende kanë aplikuar 102 studentë. Në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore (FTU), në dy drejtimet: Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore dhe Teknologji për 148 vende kanë aplikuar 71 kandidatë.
Ndërsa në Fakultetin e Gjeoshkencave (FGJ) në tri drejtimet: Xehtari, Gjeologji dhe Materiale dhe Metalurgji, për 192 vende kanë aplikuar 29 kandidatë.
Provimet pranuese për kandidatët do të mbahen sipas orarit të përcaktuar në konkurs. Më 21.07.2015, prej orës 9:00, provimi pranues mbahet në këto fakultete: Fakulteti i Gjeoshkencave; Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore; Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike. (vetëm kandidatet me sistem të vjetër që nuk kanë provim të maturës).
Më këtë datë, por në kohë të ndryshme mbahen provimet pranuese edhe në fakultetet tjera. Më 21.07.2015, në orën 9:00 mbahet provimi pranues në Fakultetin Juridik, në orën 11:00 mbahet provimi pranues në Fakultetin Ekonomik dhe në orën 13:00 dhe 15:00 mbahet provimi pranues në Fakultetin e Edukimit.