1.5 milionë për pastrimin e UP-së
Prishtinë, 1 nëntor - Për tre vjetët e ardhshëm kompania Laguna do të marrë rreth 1.5 milion euro për të pastruar objektet e Universitetit të Prishtinës (UP), kompani kjo e cila ka fituar edhe tenderin 3 milionësh muaj më parë për pastrimin e hapësirave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Kjo kompani në konzorcium me kompaninë Toifor është shpallur fituese edhe pse ka ofruar çmim për 230 mijë euro më të shtrenjtë në raport me kompanitë tjera që kane qenë në garë.
Për të fshehur faktin se kjo kompani është përfituese e kësaj shume dukshëm më të madhe se cfarë kanë ofruara të tjerat në garë, në dokumentet zyrtare të prokurimit të cilat i posedon gazeta Zëri, janë publikuar vetëm çmimet për njësi.
Nëse merret parasysh vetëm çmimi për njësi i cili është 0.34 cent për metër katror del se kompania fituese është më e lira. Por, në realitet kjo kompani ka bërë llogaritë ndryshe të cilat i sjellin të ardhura shumë më të mëdha.
Ajo ka luajtur me çmimin kur është në pyetje pastrimi i hapësirave të brendshme dhe të jashtme. Laguna ka dhënë çmimin e njëjtë edhe për të pastruar brenda edhe jashtë.
Hapësira e brendshme e Universitetit të Prishtinës, gjithnjë sipas shkresave të lëndës është 80 mijë metra katror dhe për të pastruar një metër katror brenda hapësirave të UP-së Laguna ka ofertuar me çmim prej 0.17 euro për metër katror, me po këtë çmim kjo kompani ka konkurruar që të pastrojë edhe 151 mijë metra katror të hapësirës së jashtme universitare, e ku ne total çmimi për njësi për pastrim të brendshëm dhe jashtëm është llogaritur të jetë 0,34 euro, por kur llogaritet sipërfaqja del të marr mbi 7 mijë euro në muaj më shumë sesa ofertat e kompanive të tjera apo 39 mijë e 281 euro në muaj.
/Zëri/