124 mijë nënshkrime për ta bërë arsimin prioritet nacional
Prishtinë, 17 korrik - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi bashkë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim dhjetëra nxënës të cilët i dorëzuan kryeministrit 124.477 nënshkrime të mbledhura në kuadër të Fushatës për Arsim më të Mirë në Kosovë. Fushata Arsimi në Dorën Tënde e iniciuar nga MAShT dhe GIZ ka filluar më 1 nëntor 2017 dhe është mbështetur nga rreth 20 donatorë të tjerë të arsimit ka për qëllim rritjen e buxhetit për arsim, përkatësisht bërjen e arsimit ndër prioritetet kryesore të Qeverisë.
Së bashku me nxënësit, të prirë nga nxënësi Blon Shehu, të pranishëm ishin edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi dhe udhëheqësi i projektit GIZ CDBE, Boris Scharloëski.
Në bashkëbisedim me kryeministrin Haradinaj, nxënësit dhe të pranishmit tjerë, ministri Bytyqi, fillimisht ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen, ndërsa shprehu përkushtimin për një arsim më cilësor dhe tha se për këtë kemi vënë edhe prioritet që duhet të realizohen në të ardhmen.
“Vitin që vjen do të kemi tekste të reja shkollore në përputhje me kurrikulën e re, ndërsa kemi bërë thirrje publike për hartuesit e mundshëm të teksteve shkollore”, tha ndër të tjera ministri Bytyqi.
Në vazhdim, ministri Bytyqi tha se do të vazhdohet me trajnimet e mësimdhënësve me qëllim të përmirësimit të performancës në mësimdhënie dhe shumë çështje të tjera që ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë në arsim, ndërsa theksoi se është e nevojshme që të ketë më shumë buxhet për arsim në të ardhmen.
Me këtë rast, u fol edhe për nevojën e përfshirjes sa më të madhe të fëmijëve në edukimin parashkollor, pajisjen e shkollave me laboratorë dhe mjete mësimore, trajnim adekuat të mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave, realizimin e mësimit praktik në shkolla, përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve të komunitetit RAE në shkolla, përmirësimin e infrastrukturës shkollore, etj.
Kryeministri Haradinaj, ndërkaq, theksoi se si Qeveri e vendit do të marrin obligime që krahas sundimit të rendit dhe ligjit, edhe arsimi të bëhet prioritet nacional në Kosovë.