Përurohet objekti i shkollës fillore në Podujevë
Prishtinë, 11 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka përuruar objektin e shkollës fillore në Podujevë.
Me këtë rast, ministri Buja duke uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor dhe objektin e ri të shkollës tha se kjo është dhurata më e çmuar për këtë fillim të vitit shkollor.
"Kjo hapësirë shkollore që ka jo më pak se 5900 metra katrorë, favorizon ata që japin mësim dhe ata që marrin mësim dhe krijon disponim të veçantë.
Në vazhdim, ministri Buja theksoi se për ndërtimin e kësaj shkolle, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka investuar 1. 588.953 .93 euro.
Nuk ka gjë më të mirë që ju, këtë shpërblim që është i juaji, ta ktheni në vlerë të cilësisë mësimore dhe unë për këtë jam i sigurt, por përgjegjësia tashmë i bie drejtorit dhe stafit mësimdhënës që këtë të na e shpërblejnë të gjithëve me vlerë, me dije dhe cilësi mësimore, ka thënë ministri Buja.
Duke folur për cilësinë e arsimit, ministri Buja tha: Po ecim seriozisht në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Janë arritur rezultate të mira dhe tashmë mund të themi se kemi tejkaluar rajonin. Po ecim seriozisht drejt synimeve tona drejt Evropës, por akoma jemi larg ndonëse jemi të angazhuar maksimalisht në këtë drejtim, tha ministri Buja.
Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i komunës së Podujevës z. Agim Veliu, i cili falenderoi MAShT in për ndërtimin e shkollës dhe shtoi se kjo shkollë tashmë e ka eliminuar mësimin në tri ndërrime.
Në fund, për të pranishmit nxënësit e kësaj shkolle shfaqën një program të shkurtër artistik .