Përurohet objekti i ri i kolegjit UBT
Prishtinë, 6 dhjetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja dhe president i i UBT-së, Edmond Hajrizi, kanë përuruar objektin e ri të kolegjit UBT.
Kolegji UBT është institucion i Arsimit të Lartë Privat në Kosovë, i akredituar nga Agjensioni për Akreditim i Kosovës dhe licencuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, i cili ka filluar nga veprimtaria që nga viti 2002.
Ministri Buja, më këtë rast tha se UBT ka dhënë kontribut të çmuar që ta bëjë më të pëlleshme dijen në Kosovë, andaj them se duhet pandalshëm që të angazhohemi që të krijojmë njeriun e ditur për Kosovë.
Më vjen mirë që këtu do të shkollohen djem e vajza nga tërë Kosova. Nëse dikur ishte patriotizëm që të bëjmë luftën çlirimtare, them se sot patriotizëm mbikulmor është të jeni të ditur. Andaj, ju lutem shfrytëzojeni kohën, mundësitë që keni, tha ministri Buja, duke porositur për fund studentët dhe profesorët që ta ruajnë cilësinë dhe vetëm cilësinë.
Ndërkaq, presidenti i UBT-së, Edmond Hajrizi, ndër tjera tha se, ky objekt i ri i dedikohet 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe 10 vjetorit të themelimit të këtij institucioni.
Përmes kësaj infrastrukture, ne do të kemi më shumë mundësi që tu përgjigjemi më shumë sfidave të shumta që ka zhvillimi i vendit. Për këtë, ne kemi laboratorët dhe teknologjinë që mundësojnë mësim bashkëkohorë dhe ngritje të kuadrove kompetente për shumë çështje, tha ai.
Të pranishmit i përshëndeti edhe i pari i komunës së Lipjanit, z. Shukri Buja, i cili me këtë rast shpalli Lipjanin qytet universitar.