18 Maj 2024

Zgjerohet ”Pylli i Arinjve” në afërsi të Badocit

Prishtinë, 19 mars - Strehimorja “Pylli i Arinjve”, në afërsi të liqenit të Badocit, do të zgjerohet edhe për tre hektarë e gjysmë. 

Në vënien e gurthemelin për zgjerimin e \"shtëpisë\" së arinjve, të cilët janë mbledhur këtu kryesisht nga kafazet e restoranteve nëpër Kosovë, kanë marrë pjesë ministri i Mjedisit, Ferid Agani; homologu i tij nga Shqipërisë, Lefter Koka; kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti; ambasadorja e Gjermanisë, Angelica Viets; përfaqësues të organizatës \"Four Paws\" nga Austria, e cila ndihmon kafshët në gjithë botën.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, tha se ky projekt paraqet një vlerë të veçantë dhe bëri të ditur se projekti do të zgjerohet edhe në Shqipëri. 

“Strehimorja \'Pylli i Arinjve\' është një projekt i cili është i përkrahur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Komuna e Prishtinës dhe është duke u zhvilluar në bashkëpunim me Fondacionin për Mirëqenien e Kafshëve \'Four Paws\' (Katër Putrat) ,me seli në Austri, me qëllim që të bëhet mbledhja e të gjithë arinjve të mbajtur në mini-kopshte zologjike dhe kushte të vështira”, ka thënë Agani.

Ai u shpreh i lumtur që gjendja e këtyre arinjve në këtë habitat është përmirësuar.

Nga ana e tij, ministri shqiptar i Mjedisit, Lefter Koka, tha se Kosova dhe Shqipëria çdo herë më shumë po tregojnë se janë dy vende evropiane, të cilat jo vetëm që e respektojnë njëra-tjetrën, por edhe natyrën dhe kafshët. 

“Toka sigurisht ka vend për të jetuar edhe kafshët edhe shpendët, por kërkon që të jenë të respektuara edhe nga njerëzit. Është shumë e rëndësishme që të rinjtë ta njohin natyrën. Zoti na ka falur një natyrë të mrekullueshme dhe na takon neve që ta ruajmë dhe ta zhvillojmë atë”, tha Koka. 

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, u shpreh i lumtur që në bashkëpunim me MMPH-në do ta zgjasin edhe për shumë vite shfrytëzimin e këtij parku, pasi që ky projekt, sipas Ahmetit, është një projekt i rëndësishëm, sidomos për gjeneratat e ardhshme.

“Nëse duam ta ruajmë ambientin, nuk do mundemi ta mbrojmë duke e izoluar me grila, dhe as duke e shkatërruar qysh kemi bërë një kohë të gjatë. Ne si komunë do t’i sjellim shkollat e Prishtinës së paku një herë në vit që nxënësit ta vizitojnë dhe të mësojnë në qendrën edukative, por ftoj edhe prindërit që t’i sjellin fëmijët që ta shohin këtë vend”, ka shtuar Ahmeti, i cili e ka konsideruar këtë pjesë si mushkëritë e Prishtinës. 

Themeluesi dhe presidenti i organizatës “Fur Paws”, Heli Dungler, ka treguar historinë e shpëtimit të ariut të parë, të cilin e kanë quajtur Kassandra. Atë e kishi gjetur në një fshat të Kosovës, ndërsa mbahej në kushte të mjerueshme. 

“Ideja fillestare ishte me i ndihmuar vetëm Kasandrës. Por, ne thamë që nuk i ndihmojmë vetëm një ariu të veçantë, por kërkuam një zgjidhje më afatgjate që të ndihmojë të gjithë arinjtë që jetojnë në kushte të tilla. Me ndihëm e Ministrisë së Mjedisit dhe Komunës së Prishtinës e gjetëm këtë vend dhe mblodhëm të gjithë arinjtë nga vende të ndryshme të Kosovës”, ka thënë Dungler. 

Hapësira e dhënë në shfrytëzim, fillimisht për 10 vjet, ka një hapësirë prej 15,6 hektarësh. Deri më tani kanë qenë të rregulluara 5 hektarë, ndërsa këtë vit po fillon dhe pritet të kryhet edhe rregullimi i 3,5 hektarëve të tjerë, ka shpjeguar Jeton Hetemaj, përgjegjës për aktivitete edukative, turizëm dhe  ngritjen e fondeve në \"Bear Sanctuary Prishtina\".

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)