26 Dhjetor 2024

Ulqini përgatitet për sezonin turistik pas pandemisë

Ulqin, 2 maj - Përpjekja për rimëkëmbjen e sezonit turistik në bregdetin e Ulqinit ka angazhuar autoritetet vendore dhe punonjësit e kësaj fushe për një përgatitje të shtuar në mbarëvajtjen e këtij sezoni.

Në kthimin e normalitetit janë duke u ndërmarrë disa masa edhe në lehtësimin e pengesave ndërkufitare që ngadalësojnë zhvillimin e turizmit rajonal.

Bregdeti i Ulqinit është një vend i parapëlqyer pushimi për turistët e rajonit dhe më gjerë. Për shkak të pandemisë ky vend i bukur turistik, vitin e kaluar, pësoi një humbje të madhe duke shkaktuar një krizë me pasoja ekonomike për këtë zonë.

Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, z. Gëzim Hajdinaga, vë në dukje se humbja në fushën turistike ishte mbi 80% krahasim me vitet tjera.

“Dihet për goditjen që ka pësuar qyteti ynë dhe tërë bregdeti i Malit të Zi dhe bota në përgjithësi. Në Ulqin dhe në Mal të Zi është shënuar një humbje shumë e madhe në krahasim me vitet tjera, deri në 80%. Mendojmë se sikur të arrihet një parashikim me rritjen e mundshme deri 50% do të ishte një sukses për punonjësit dhe qytetarët e Ulqinit”, thotë z. Hajdinaga.

Sidoqoftë, punonjësit turistik në Komunën e Ulqinit janë duke u përgatitur për sezonin e këtij viti dhe shpresojnë se do të dalin nga kjo situatë e vështirë për turizmin e Ulqinit.

Hotelieri i njohur Shaqir Molla beson se kjo sezone do të jetë më e mirë.

“Presim shumë nga kjo sezon pasi edhe pushteti i ri në Mal të Zi na ka dhënë një premtim se gjatë vitit 2021 nuk do të ketë mbyllje të kufirit për tërë rajonin dhe shpresojmë se nëse nuk ka ndonjë përkeqësim të situatës me COVID-19 do të jetë një sezon e suksesshme”, thotë zoti Molla.

Në ketë kuadër zoti Hajdinaga thekson se për kthimin në normalitet janë duke u ndërmarrë disa masa në lehtësimin e pengesave ndërkufitare midis shteteve që janë pengesë e zhvillimit të turizmit rajonal.

“Jemi duke punuar në eliminimin e barrierave që kanë qenë ngarkesë për turistët nga Kosova, Maqedonia e Veriut etj., të cilët në pikën kufitare të Muriqanit janë të detyruar të paguajnë sigurimet për automjete. Kjo ndikon në koston e turistëve, por edhe në pritjet e gjata në kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Poashtu jemi duke biseduar që të lehtësohet qarkullimi mes vendeve të rajonit dhe fëmijëve tu lejohet qarkullimi vetëm me çertifikatë të lindjes”, thotë zoti Hajdinaga.

Edhe Ministri i Zhvillimit ekonomik në Mal të Zi, Jakov Milatoviq, gjatë qëndrimit në Ulqin, vuri në dukje nevojën e bashkëpunimit midis Qeverisë dhe komunave bregdetare.

“Duhet një bashkëpunim sa më i ngushtë mes Qeverisë dhe komunave bregdetare që të zhvillohet dialogu konstruktiv i sektorit privat dhe atij publik në mënyrë që turizmi si degë, e cila gjeneron të ardhura dhe ka efekte të mëdha për ekonominë e Malit të Zi, të fillojë ripërtëritjen”, tha ministri Milatoviq.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)