03 Maj 2024

Ulqini hap dyert për turistët

Ulqin, 3 korrik - Plazhet e bukura, klima, pastërtia dhe atmosfera freskuese edhe këtë vit i kanë shtyrë turistë të shumtë nga vende të ndryshme që të pushojnë në plazhet e bukura të bregdetit të Malit të Zi. Përveç bukurive dhe plazheve të ndryshme, në Ulqin nuk mungon as argëtimi.

Plazhi i Ulqinit edhe më tutje mbetet njëri ndër plazhet më të frekuentuar nga qytetarët dhe diaspora e Republikës së Kosovës.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ka treguar se janë bërë të gjitha përgatitjet për pritjen e turistëve, të cilët i ka siguruar se kushtet janë përmirësuar dukshëm, kurse çmimet nuk janë ngritur.

“Sezoni turistik për këtë vit ka filluar për së mbari. Kemi punuar dhe do të punojmë edhe më tutje që vendi ynë të ketë sa më shumë vizitore dhe turistë. Këtë vit nuk kanë ndryshuar çmimet, ndërsa kushtet janë shumë më të mira dhe siguria është në nivelin e duhur”, ka thënë Cungu para gazetarëve të Kosovës, të cilët me ftesën e tij kanë qëndruar për vizitë treditore në Ulqin. Ndërsa drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Minir Karamanaga, ka thënë se kosovarët Ulqinin e kanë destinacion tradicional të pushimeve. “Mbi këto baza edhe qeverisja vendore ka bërë të pamundurën që përgatitjet të jenë sa më cilësore”, ka deklaruar ai.

Por, drejtori i Lidhjes Turistike të Kosovës, Shkëlzen Rizaj, ka deklaruar se edhe këtë vit fluksi i turistëve kosovarë në Ulqin do të jetë edhe më i madh sesa vitin e kaluar. E plazhet më të bukura të Ulqinit dhe më të preferuarat për vizitorët për këtë vit do të jenë ato te Plazhi i Madh: Hoteli “Otrant”, “MCM”, “Copacabana”, “Safari” dhe “Saranda”.

“Hoteli Otrant” për këtë sezon turistik ofron kushte të volitshme për turistët nga mbarë bota. Në “Otrant” pushojnë shumë qytetarë nga Kosova dhe diaspora e Kosovës. 

Pronari i plazhit “MCM”, Hajdar Murati, ka thënë se plazhi i tij është njëra ndër plazhet me standarde të lartë dhe më e frekuentuara nga turistët.

Edhe plazhi “Copacabana” mbetet edhe më tutje një ndër plazhet më të vizituara. Pronari i këtij plazhi, Prel Shkreli, ka thënë se edhe këtë vit plazhi “Copacabana” do t’u ofrojë risi mysafirëve të saj. Ai ka theksuar se këtë vit plazhi “Copacabana” do të ofrojë siguri, pastërti dhe shërbime cilësore.

Kurse pronari i plazhit “Safari”, Zef Deliqi, ka theksuar se oferta turistike e Ulqinit në përgjithësi këtë vit është më e mirë. Për këtë sezon ai ka treguar se plazhi “Safari” i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për t’i pritur turistët nga të gjitha anët, por më shumë nga Kosova, pasi vite me radhë ata vizitojnë Ulqinin. Ai ka bërë me dije se “Safari” është në përfundim të hotelit me 4 yje, i cili do të ofrojë kushte të mira për turistët.

Edhe plazhi “Saranda” është njeri nga plazhet më të frekuentuara nga diaspora e Kosovës, turistët e huaj dhe VIP-at e Kosovës. Pronari i këtij plazhi, Halil Truma, është shprehur se prioritete të stafit të plazhit “Saranda” janë pastërtia dhe siguria. Ai ka thënë se të gjitha janë të siguruara, duke filluar nga parkingu deri te siguria në plazh e personave, të cilët përkujdesen për sigurinë në plazh. Në këto plazhe në përgjithësi çmimet janë të arsyeshme. Një çadër me dy shtretër është 5-6 euro, kurse çadrat VIP janë 8-10 euro për gjithë sezonin. Kurse sa u përket çmimeve të akomodimit në hotele dhe shtëpi private, ato nuk kanë ndryshuar nga viti i kaluar.

“Javët e Biznesit Kombëtar”

Në fillim të sezonit turistik të Ulqinit është bërë edhe hapja e projektit “Javët e Biznesit Kombëtar në Mal të Zi”, me ç’rast prodhues nga të gjitha trevat shqiptare i kanë ekspozuar prodhimet e tyre në Ulqin.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se projekti “Javët e Biznesit Kombëtar” është një ngjarje kapitale për shqiptarët, e cila organizohet në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

“Aktiviteti ka për qëllim rritjen, konsumimin dhe bashkimin e prodhuesve shqiptare në pesë shtetet ku jetojnë shqiptarët.

‘Javët e Biznesit Kombëtar’ ka gjetur mbështetje nga dy qeveritë dhe komunat e të gjitha trevave shqiptare ku edhe po mbahen aktivitetet. AKB-ja, po e realizon projektin me qëllim të rritjes së konsumit të prodhimeve kombëtare shqiptare dhe rritjes së eksportit shqiptar në vendet regjionale dhe më gjerë. Po ashtu, AKB-ja po promovon vlerat ekonomike kosovare dhe kombëtare për ngritjen e bashkëpunimit regjional”, ka thënë Shahini.

Ai ka deklaruar se prodhimet kosovare dhe shqiptare meritojnë një trajtim më të mirë. Duhet të krijohet partneritet me të gjithë afaristët e Malit të Zi dhe pjesëmarrësit e tjerë për përmirësimin dhe rritjen e eksportit të prodhuesve shqiptarë. Ulqini është i njohur për vizitorët nga Kosova, por tash një kohë të gjatë mungojnë prodhimet dhe shërbimet tona”, është shprehur Shahini.


Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, është shprehur i kënaqur që Ulqini është nikoqir i këtij aktiviteti kaq të madh dhe të rëndësishëm për biznesin kombëtar. “‘Javët e Biznesit Kombëtar’ mbetet jo vetëm ngjarja më rëndësishme e bashkëpunimit ekonomik, por edhe një perspektivë për unifikimin e tregjeve”, ka deklaruar Cungu.

Ai ka thënë se bizneset nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës janë mbledhur për ta evidentuar dhe promovuar potencialin e jashtëzakonshëm që kanë. “Rruga për integrime evropiane detyrimisht kalon nga rruga e integrimeve rajonale dhe këtu, përveçse po krijojmë kushte për integrimin e biznesit, krijojmë parakushte edhe për vendet tona në rrugën e integrimeve ekonomike evropiane”, ka thënë Cungu.
Projektin “Javët e Biznesit Kombëtar në Mal të Zi” e kanë vlerësuar lart edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Enver Ferizaj dhe kryetari i Odës Veriperëndimore të Maqedonisë, Menderes Kuqi.(Gazeta Epoka e re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)