29 Prill 2024

Turizmi në Kosovë larg zhvillimit

Prishtinë, 22 maj - Mundësitë që i ka Kosova për ta zhvilluar turizmin e saj, nuk janë në agjendë të Qeverisë së Kosovës. Bukuritë natyrore të Kosovës as që merren në konsideratë të trajtohen në zhvillimin e mëtutjeshëm të tyre.

Ekspertët e turizmit, nuk kanë parë ndonjë lëvizje në këtë drejtim, ndërkohë që përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë janë ende në fazën e hartimit të politikave të favorshme turistike për zhvillimin e turizmit.

Ekspert i turizmit, Zekë Çeku, thotë se Kosova është e pasur me bukuri natyrore, me trashëgimi kulturore, që tërheqin turistët që t’i vizitojnë, Kosova është e shquar në shumë aspekte, këtu gërshetohen shumë kultura, tradita.

Sipas tij, edhe çmimet janë të konsiderueshme, sidomos të ushqimit, ndërsa pjesa e akomodimit në Prishtinë ka qenë pak më e shtrenjtë nëpër hotele, por kohëve të fundit, janë ndërtuar shumë hotele dhe se ka zgjidhje për të gjithë turistët, nga vizitorët vlerësohet edhe mikpritja dhe ushqimi tradicional në Kosovë.

“Kosova si destinacion turistik i ka dy veçanti që vlerësohen nga turistët, ka njerëz shumë mirëpritës ku zanafillën e ka në traditat tona dhe ushqimi tradicional”, thotë Çeku.

“Mirëpo, institucionet e Kosovës, nuk e përkrahin aspak turizmin, duke mos u marrë me zhvillimin e turizmit edhe pse dihet që turizmi i sjell shumë përfitime Kosovës, duke çuar ekonominë drejt rritjes”, thotë ai.

Nga ana tjetër, institucionet e vendit potencohen duke thënë se ato vazhdimisht po merren me zhvillimin e turizmit duke përmendur kompletimin e infrastrukturës ligjore turistike, promovimin e Kosovës si destinacion turistik në ngjarjet vendore dhe ndërkombëtare të turizmit.

Bile me aktivitetet që janë duke u zhvilluar nga MTI-ja në bashkëpunim me pushtetin lokal, komunitetin e biznesit, shoqërinë civile, donatorët, do të kenë ngritje të zhvillimit të sektorit të turizmit.

“Po punohet edhe në sektorin e turizmit, me aktivitete që janë duke u zhvilluar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) në bashkëpunim me pushtetin lokal, komunitetin e biznesit, shoqërinë civile, donatorët, do të kemi ngritje të zhvillimit të sektorit të turizmit”, thotë Halil Bajrami, udhëheqës i Divizionit të Turizmit. 

Ndër të tjerash, Bajrami shpalos dhe prioritetet që ka kjo ministri në zhvillimin e turizmit. Krijimin e kushteve për investime me qëllim që edhe Kosova të ketë produktin e vet turistik konkurrent në tregun turistik vendor, rajonal dhe me gjerë, zhvillimin dhe promovimin e produktit turistik, zhvillimin e turizmit ndërkufitar, krijimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit në sektorin e turizmit, integrimin e turizmit kosovar në institucionet ndërkombëtare turistike.            

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)