Turizmi i Shqipërisë po rikuperon me shpejtësi humbjet
Tiranë, 26 maj - Turizmi i Shqipërisë po rikuperon me shpejtësi humbjet që shënoi nga pandemia e shkaktuar nga koronvirusi.
Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur me shpejtësi në prill, ku ndikimin kryesor e ka dhënë Kosova, por gjithsesi mbeten 41% më pak se në prillin e 2019-s, përpara krizës së pandemisë.
Për 4 mujorin, hyrjet e shtetasve të huaj mbeten ende 31% më të ulëta se në nivelet e parakrizës (janar-prill 2019), të ndikuara kryesisht nga hezitimi i turistëve të Europës për të lëvizur, ndërsa hyrjet e shtetasve të Kosovës janë 21% më të larta se 4 mujori i parë 2019.
Sipas INSTAT, Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Prill 2021, janë 466.283, duke pësuar një rritje të ndjeshme me 18,5 herë, krahasuar me Prill 2020.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në territorin shqiptar është 241.015 ose 19,8 herë më i lartë se i njëjti muaj i vitit paraardhës.
Ndryshimet e treguesve të lëvizjes së shtetasve, janë ndikuar nga masat e pandemisë të vendosura në muajin Prill 2020.
Gjatë katërmujorit të parë të 2021, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri është 754.796, duke u rritur me 1,3 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Duke analizuar vendin e origjinës së shtetasve të hyrë në Shqipëri, Kosova ka pasur rritjen më të madhe me 2,1 herë dhe Zvicra me 2 herë, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Greqia me 4,4 herë dhe Anglia me 60,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.