27 Prill 2024

Përdhunimet frenojnë turizmin global

Londër, 5 prill - Raportimet për përdhunime brutale të turistëve të huaj në Indi dhe në Brazil gjatë disa muajve të fundit kanë bërë që industria ndërkombëtare e udhëtimeve të tronditet dukshëm.

Sipas të dhënave të cituara nga revista liberale amerikane “The Atlantic”, numri i përgjithshëm i vizitorëve në Indi ka rënë për 25 për qind që nga përdhunimi kolektiv vdekjeprurës i një femre të re në një autobus në kryeqytetin Nju-Delhi, ndërsa numri i femrave udhëtare ka rënë për 35 për qind në vendin aziatikojugor.

Dhe, këto të dhëna janë përpiluar para datës 16 mars, kur një grua zvicerane, e cila ishte duke u shëtitur në shtetin qendror indian të Maxha Predeshit me biçikletë, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, ishte përdhunuar kolektivisht nga tetë meshkuj. Në Maxha Predesh raportohen mesatarisht nëntë përdhunime në ditë, ka shkruar gazeta “Washington Post”.

Në Brazil, ku një turiste amerikane është përdhunuar nga tre meshkuj për rreth gjashtë orë, rastet e përdhunimeve janë rritur për rreth 150 për qind që nga viti 2009, ka raportuar “The Atlantic”.

Joçuditërisht, Brazili dhe India janë në mesin e vendeve më të rrezikshme për t’u vizituar në botë, sipas një harte interaktive, të cilën e ka bërë Departamenti i Punëve të Jashtme i Kanadasë.

Por, këto dy vende sigurisht se nuk janë më të rrezikshmet. Koreja e Veriut, Siria, Iraku, Irani, Afganistani, Mali, Nigeri, Sudani, Sudani i Jugut, Republika e Afrikës Qendrore dhe Somalia janë ndër vendet në të cilat turistët paralajmërohen që “t’i shmangin çfarëdolloj vizite”. Për disa vende të tjera, si Libia, vizitorët paralajmërohen që “t’i shmangin udhëtimet e panevojshme”.

Harta me ngjyra e rrezikshmërisë përfshin edhe paralajmërime rajonale dhe kohore. Në Pakistan, turistët sugjerohen t’i shmangin: zonat ku zhvillohen aktivitete ushtarake a militante; të gjitha zonat kufitare, përveç pikëkalimit zyrtare kufitar në Uagha; rajonin e Kashmirit, përfshirë Azad Kashmirin; provincën e Baluçistanit, përfshirë qytetin e Kuetës; provincën e Kiber Paktunkhvës, përfshirë Suatin, qytetin e Peshavarit dhe Qafën e Kiberit; si dhe zonat gjysmëautonome fisnore.

Në Meksikë, ata të cilëve “u duhet të udhëtojnë në Monterei, në shtetin e Nuevo Leonit, duhet që të shmangin lëvizjet pas errësirës dhe të qëndrojnë brenda rrethit të San Pedro Garza Garcias”.

E, ku pra, saktësisht, munden turistët që të udhëtojnë sigurt? Në Australi, Botsuanë, Kanada, Kili, pjesën më të madhe të Evropës, Grenlandë, Islandë, Zelandë të Re, Malajzi, Kore të Jugut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Uruguaj, sipas agjencisë.

“Pavarësisht se cilin vend në botë planifikoni që ta vizitoni”, këshillon ueb-sajti i departamentit kanadez, “siguroheni që t’i lexoni dy herë këshillat e udhëtimit: një herë kur të planifikoni udhëtimin, dhe përsëri para se të niseni... Vendimi për të udhëtuar në vende të caktuara është përgjegjësi e vetë individit”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)