Mitrovica ndalon hyrjen e qytetarëve tek hapësirat e Liqenit Akumulues
Mitrovicë, 20 mars - Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka mbajtur mbledhjen e radhës me shtabin emergjent të Komunës së Mitrovicës, i cili po vazhdon me monitorimin e gjendjes aktuale dhe zbatimin e masave parandaluese në mbrojtje të virusit COVID-19.
Në këtë mbledhje u potencua se deri më tani në Mitrovicë nuk ka të verifikuar asnjë rast me virusin COVID-19, dhe stafi mjekësor në QKMF “Dr. Nexhat Çuni” dhe Spitali Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” vazhdojnë me ofrimin e shërbimeve 24 orë për qytetarët e Mitrovicës.
Po ashtu, shtabi emergjent njoftoi lidhur me zbatimin e disa nga masave shtesë të cilat u ndërmorën në mbledhjen e kaluar, duke evidentuar personat e ardhur së fundi nga vendet e perëndimit, aktivizimi i linjës telefonike falas 194 të Qendrës Operative Emergjente Lokale, e cila do të jetë në dispozicion për të gjithë qytetarët që kanë shenja gripoze, ku do të kenë mundësi të udhëzohen nga ekipi mjekësor pa pasur nevojë të paraqiten në QKMF.
Gjithashtu shtabi emergjent u dakorduan të merret edhe një masë shtesë preventive ndaj këtij virusi, duke ndaluar hyrjen e të gjithë qytetarëve në hapësirat përgjatë Liqenit Akumulues, përveç punëtorëve të kompanisë kontraktuese të cilët janë duke i kryer punimet në ato pjesë. Ky vendim është marrë me qëllim që të mbrohet shëndeti i gjithë qytetarëve.