28 Prill 2024

Mimoza promovon hotelet e politikanëve në Berlin

Prishtinë, 12 mars - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e cila udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila, nëpërmjet Agjencisë për Promovim të Investimeve ka paguar me mijëra euro për prezantimin e 5 hoteleve dhe tri agjencioneve në Panairin e Turizmit në Berlin të Gjermanisë, kompani këto të afërta me zyrtarët e partive kryesore politike në vend, ndërkohë që nuk është prezantuar asnjë broshurë për turizimin në Kosovë.

Në këtë panair është prezantuar oferta e hotelit “Emerald”, pronë e Ibrahim Bucaliut, i cili ka pranuar për “Zërin” se i financon të gjitha partitë politike në vend, hotelet “Sirius”, “Nartel” dhe “Victory”.

Ky i fundit është pronë e Bedri Selmanit. Para se të ndërtohej hoteli “Emerald”, në hotel “Victory” kryeministri Hashim Thaçi i mbante mbledhjet e Këshillit Drejtues e ato të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës.

Në Berlin është prezantuar edhe hoteli “Swis Diamond”, i cili është pronë e presidentit të partisë së Kusari-Lilës, Behgjet Pacolli.Ndërsa agjencitë turistike pjesëmarrëse në panair janë: “Vas Tour”, “Vip Air”,etj.

Sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar ditë më parë nga MTI, në shtandin e Kosovës në Berlin ka qenë prezent edhe zëvendësministri i Tregtisë, Cuneyd Ustaibo, i cili e ka familjarë pronarin e agjencisë “Ephesus”, Tarik Ustaibo.

Zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë janë arsyetuar se përzgjedhjen e hoteleve dhe agjencive turistike e ka bërë Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës, pasi që, sipas tyre, Agjencia për Promovimin e Investimeve të Kosovës(APIK) nuk ka dashur të merret me përzgjedhje, siç kanë thënë ata, për shkak të ndonjë keqkuptimi të mundshëm.

“Agjencia për Promovimin e Investimeve ka marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin. Si bashkëpunëtor i këtij organizimi ka qenë Shoqata e Turizmit Alternativ, të cilët kanë pasur përgjegjësinë e plotë për përzgjedhjen e pjesëmarrësve në shtandin e Kosovës, ku kanë qenë të pranishëm 5 hotele dhe 3 agjenci turistike”, ka thënë Arta Istrefi, këshilltare e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

Gazeta “Zëri” ka tentuar disa herë gjatë ditës së hënë ta kontaktoj nëpërmjet telefonit edhe kryetarin e Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hotin, rreth mënyrës së përzgjedhjes së hoteleve dhe agjencioneve në panairin e Berlinit, mirëpo telefoni i këtij të fundit ka qenë i mbyllur.

Në anën tjetër, eksperti kosovarë i turizmit, Zekë Çeku, ka vërejtje të shumta sa i përket prezantimit të ofertës turistike të Kosovës në Panairin e Berlinit, prej 7-10 mars 2013, i cili vizitohet nga jo më pak se nga 170 mijë veta.

Sipas Çekut, organizimi i këtij panairi nuk ka qenë i përgatitur si duhet, pasi që nuk janë ftuar për këtë çështje as tour operatorët kosovarë.

“Në Berlin nuk është promovuar oferta reale e Kosovës. Në mënyrë të padenjë bëhet promovimi i vendit në panaire të tilla”, ka potencuar Çeku.

Promovim i padenjë i Kosovës në Berlin

Sipas Zekë Çekut, në Panairin e Berlinit nuk janë prezantuar ofertat hoteliere në Kosovë, të cilat kanë frekuentim më të madh të turistëve të huaj.

Pasi që, sipas tij, hotele tjera në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë, vizitohen shumë më shumë se hotelet pjesëmarrëse në panairin e turizmit në kryeqytetin gjerman.

Ai ankohet tek zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, pasi që, sipas tij, po bashkëpunojnë në mënyrë të njëanshme me persona të caktuar për organizime të tilla ndërkombëtare, me ç’rast po dështon të promovohet oferta reale turistike e vendit.

“MTI bashkëpunon në mënyrë të njëanshme me persona të caktuar. Unë jam eksperti kryesor i turizmit në Kosovë dhe as që njoftohem për organizime të tilla”, ka përfunduar Çeku.

/zeri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)