29 Prill 2024

Hani i Elezit zhvillon turizmin rural

Hani i Elezit, 20 maj - Bukuritë natyrore të komunës së Hanit të Elezit e kanë shtyrë juristin Naser Laçi ta themelojë Shoqatën për Zhvillimin e Turizmit Rural “Laçi”, e cila ka objektivë prezantimin e turizmit për këtë anë. Ai në një bisedë për gazetën “Epoka e re” ka bërë me dije se kjo shoqatë është themeluar në vitin 2011.

“Iniciativa për formimin e shoqatës ka qenë e organizatës joqeveritare ‘CARE Internacional’, e cila ka qenë edhe implementuese e projektit për zhvillimin e turizmit rural në Regjionin Lindje.

Strategjinë e zhvillimit të turizmit rural e bëri Agjencia për Zhvillim Rajonal Lindje (AZHR Lindje) me seli në Gjilan”, ka thënë ai, duke shtuar se të gjitha projektet e kësaj shoqate financohen dhe mbështeten nga Bashkimi Evropian (BE). “Aktivitetet tona kanë qenë në fillim regjistrimi i shoqatës në Departamentin e Regjistrimit të OJQ-ve, trajnimet me anëtarët e shoqatës etj. Po në vitin 2011 e kemi organizuar një drekë tradicionale me produkte vendore, njëkohësisht e kemi prezantuar shoqatën dhe ushqimet autoktone të trevës së Hanit të Elezit dhe të Kaçanikut.

Në regjionin e Ferizajt ekziston edhe një shoqatë tjetër në fshatin Jezerc dhe për momentin kemi bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë. Nga viti 2012 kemi filluar me një projekt tjetër që e implementon organizata ‘ITC consulting’ në Ferizaj. Është bërë sinjalizimi i vendeve dhe objekteve me rëndësi për zhvillimin e turizmit rural me shenja sinjalizuese të komunikacionit që nga Ferizaj deri në Han të Elezit”, ka theksuar ai, duke shtuar se në komunën e Hanit të Elezit janë në ngritje e sipër gjashtë bujtina, të cilat i ka financuar BE-ja. “BE-ja ka financuar me material për akomodim të bujtinave me shtretër, tepihë, banjë, frigoriferë, shporete dhe pajisje të tjera në vlerë prej 10 mijë eurosh”, është shprehur ai, duke bërë me dije se në vitin 2012 janë trajnuar pesë anëtarë në periudhë dyjavorë në Ferizaj për menaxhim të turizmit rural. Ai ka treguar se komuna e Kaçanikut, gjegjësisht Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, qysh në fillim të projektit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë e Zhvillimit Rajonal për implementim të këtyre projekteve.

Laçi ka treguar se ekziston një vullnet shumë i mirë nga ana e kryetarit të komunës dhe drejtorit të BZHRP-së për mbështetje të turizmit rural. “Përveç komunës, deri më tani nuk kemi ndonjë përkrahje nga institucionet e tjera vendore. Komuna është një promotor i fuqishëm i kësaj fushe dhe është shumë e interesuar në zhvillimin e këtij sektori. Deri më tani kemi pasur vetëm mbështetje teknike, por na ka ndihmuar shumë për t’i implementuar projektet tona”, ka thënë ai.
Gjithashtu, komuna, sipas tij, e ka përcaktuar një vend në zonën kadastrale të quajtur Kashan, në të cilën do të vendoset një objekt si qendër informuese për komunat Hani i Elezit dhe Kaçanikut.

“Synimet e shoqatës janë ta rrisim vetëdijen për rëndësinë e turizmit rural. Kosovës i mungojnë detet, por kemi hapësirë malore, florë dhe faunë të mjaftueshme, pastaj kemi katër stinët e vitit dhe ka peizazh të bukur për të zhvilluar turizëm të mirëfilltë, pastaj kultura dhe mikpritja janë elemente shumë të rëndësishme për ta zhvilluar një turizëm. Synimet tona janë që t’i ngremë kapacitetet tona për të pritur turistë dhe ta bëjmë një ndër fushat e rëndësishme të zhvillimit të biznesit në komunë”, ka thënë ai.
 
Laçi ka potencuar se kjo lloj veprimtarie është profitabile dhe qytetarët kanë filluar ta kuptojnë rëndësinë e saj. “Dita-ditës qytetarët janë të interesuar të kyçen në projekte. Vendi ynë po përgatitet për çdo ditë që këtë fushë ta bëjë si veprimtari kryesore. Pozita gjeografike mundëson një relief të mirë për t’iu qasur kësaj veprimtarie dhe deri-diku ka infrastrukturë për ta zhvilluar këtë veprimtari”, ka thënë ai.

Laçi ka bërë me dije se komuna e Hanit të Elezit edhe ajo e Kaçanikut janë duke investuar në infrastrukturën rrugore në pjesën malore të malit Luboten, e cila do ta lehtësojë qarkullimin e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)