Zyrtar të lartë të implikuar në firmat e ndërtimit të rrugëve
Prishtinë, 29 korrik - Lëvizja Fol ka mbajtur sot debatin e radhës të forumit FOL Hapur, ku është diskutuar Për transparencën e investimeve publike në infrastrukturën rrugore, njëkohësisht është publikuar raporti mbi prokurimin në Ministrinë e Infrastrukturës.
Sekretari i përgjithshëm në këtë ministri, Skënder Gashi, tha se duhet të promovohet transparenca sidomos kur është në pyetje paraja publike.
Ai theksoi se për vitin 2009 janë realizuar nga kjo ministri rreth 207 projekte, për vitin 2010 rreth 92 sosh dhe për këtë gjashtë mujor të këtij viti janë realizuar 58 projekte.
Ai deklaroi se kontrolli i brendshëm i financave publike, siguron llogaridhënien e menaxhmentit që siguron pajtueshmëri me legjislacionin relevant, përshkrimet e buxhetit dhe parimet e menaxhimit financiar, transparent, efikas, efektiv dhe ekonomik.
Sa i përket kontratës për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare ai tha se nuk ka qenë i përfshirë në këtë proces dhe se kjo kontratë kalon përtej kompetencave të tij si sekretar i kësaj ministrie.
Koordinatori i Projektit, Fidan Kalaja tha se Ministria e Infrastrukturës, përpos që prinë për nga buxheti që i është ndarë për investime kapitale, ajo gjithashtu është e para edhe për nga numri i kontratave dhe vlera e tyre.
Vetëm për dy vitet e fundit (2009-2010), sipas tij kjo ministri ka nënshkruar rreth 270 kontrata, në vlerë prej rreth 821 milionë euro, duke përfshirë këtu edhe kontratën për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare.
Kalaja theksoj se një vëmendje e veçantë i është kushtuar analizimit të procedurave të prokurimit për përzgjedhjen e kompanisë mbikëqyrëse për autostradën.
Sipas tij, Ministria e Infrastrukturës më datën 15 qershor 2011, ka shpallur fitues në tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në autostradë kompaninë Hill International, oferta e të cilës ishte 6 milionë e 950 mijë euro.
Në njoftimin për dhënie të kontratës të kësaj ministrie figuron se fitues është shpallur dega në Luksemburg e kësaj kompanie amerikane.
"Dy zëvendës presidentë të kësaj kompanie në Amerikë Robert L. Burnet dhe Mohamed A. El Zahabi, kanë punuar vite më radhë në korporatën amerikane Bechtel, e cila është kontraktuar për ndërtimin e autostradës."
Sipas këtij raporti ka raste ku kompanitë që kanë fituar tenderë kanë të punësuar njerëz nga partitë politike ose edhe janë të afërta me to.
Raste të tilla janë ai i tenderit për sinjalizim vertikal dhe horizontal në rrjetin nacional dhe regjional të Republikës së Kosovës ku kompania fituese është shpallur kompania RSM, në të cilën figuron se merr pagë deputeti Rexhep Selimi.
Dhe rasti tjetër është tenderi për rikonstruimin i rrugës Llukafc-Tomoc, ku kompania fituese Victoria Invest International, në historikun e saj paraqet ndërlidhjen e saj me politikanin Blerim Kuçi.
Kompania fituese e njërit llot në tenderinSinjalizimi vertikal dhe horizontal në rrjetin nacional dhe regjional të Republikës së Kosovës është kompania Drenica, ku pronari i saj Ismet Shamolli njëherësh është edhe zyrtar i Eurokos, kompani kjo që ka fituar njërin nga llotet e këtij tenderi.
Sipas këtij raporti edhe në këtë vit Ministria e Infrastrukturës ka vazhduar me praktikat e shpërblimit të kompanive që janë treguar të papërgjegjshme dhe kanë zvarritur punët në projektet e mëhershme të MTPT-së, siç është rasti me kompaninë Arda Rei, e cila është kontraktuar për punimet në rrethrrotullim.
Në tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve, sipas raportit gjatë shpalljes së fituesve të këtij tenderi Ministria e Infrastrukturës ka përdorur kriteret eliminuese të kompanive.
Ky aktivitet u mundësua me përkrahje të USAID përmes Programit për Fuqizimin e Shoqërisë Civile i implementuar nga ISC Instituti për Komunitete të Qëndrueshme