Zyra Kombëtare e Auditimit fillon auditimin e Pasqyrave Financiare në RTK
Prishtinë, 30 dhjetor - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës dhe auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore (PFV) të Radio Televizionit të Kosovës (RTK-së).
RTK financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe të hyrat tjera vetanake. Për vitin 2020 nga buxheti i Kosovës është financuar me 11,200,000 € dhe buxheti i planifikuar nga të hyrat vetanake për këtë vit ishte 1,812,000 €. Shpenzimet e RTK-së për vitin 2020 ishin në vlerë prej 12,591,000 €.
Auditimi i Pasqyrave Vjetore Financiare të RTK-së për herë të fundit nga ZKA-ja është kryer në vitin 2010. Që atëherë auditimi i PFV-ve të RTK-së kryhet nga një auditor i jashtëm, të cilin RTK-ja e përzgjedhë me procedura të prokurimit. Përderisa, raporti i fundit i auditimit të performancës së RTK-së nga ZKA-ja është publikuar në vitin 2015.
Prandaj, duke e pasur parasysh kohën e gjatë që ZKA-ja nuk ka kryer një auditim të RTK-së dhe vlerën e lartë monetare me të cilën buxheti i Kosovës e financon këtë medium publik, vlerësohet se ky auditim është me interes për publikun dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Objektivë e auditimit të pasqyrave financiare të RTK-së për vitin 2021 është të ofrohet siguri e arsyeshme nëse pasqyrat financiare si tërësi nuk përmbajnë keq-deklarime materiale, qoftë për shkak të mashtrimit ose gabimit dhe të hartojmë një raport të auditimit që përfshin opinionin tonë.
Zyra Kombëtare e Auditimit do të testojë nëse transaksionet e kryera nga organizata janë në përputhje me kornizën ligjore në të cilën vepron. Kjo nënkupton marrje të sigurisë se transaksionet janë në përputhje me autoritetet e duhura, duke përfshirë kornizën statutore të organizatës.
Objektivi tjetër në këtë auditim është të shprehim një konkluzion të auditimit për pajtueshmërinë e autoriteteve përkatëse të RTK-së me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga legjislacioni i zbatueshëm në kontekstin e përdorimit të burimeve financiare, lidhur me subjektin e audituar.
Ndërsa, sa i përket auditimit të performancës, objektivë e auditimit është të vlerësohet nëse RTK-ja ka menaxhuar në mënyrë të duhur fondet publike.
Ky auditim i performancës do të mbuloj aspektin e burimeve njerëzore, duke përfshirë stafin aktual, nevojat për rekrutim të stafit shtesë, angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kontraktimin e programeve të prodhuara vendore.
Auditimi do të fokusohet në këtë fushë, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e buxhetit vjetor të RTK-së shpenzohet në kategorinë e pagave dhe mëditjeve.
Fushëveprimi i auditimit të performancës do të përfshijë RTK-në si përgjegjëse për vlerësimin e nevojave për burime njerëzore, caktimin e objektivave të stafit, zbatimin e procedurave të ndryshme, vlerësimin e performancës edhe sigurimin e vlerës për paranë e shpenzuar.
Më konkretisht, auditimi do të përfshijë aktivitetet e ndërlidhura me burimet njerëzore e që janë zhvilluar në vitet 2019, 2020 dhe deri në shtator të vitit 2021.
Auditimet do të kryhen në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe praktikat e mira evropiane.
Përmes këtyre auditimeve synohet rritja e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të aktiviteteve në aspektin e burimeve njerëzore, angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kontraktimin e programeve të prodhuara vendore të RTK-së.
Aty ku do të konsiderohet e nevojshme auditimi do të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efektive dhe efikase dhe të arrijnë qëllimet e synuara për përmirësimin e nivelit të përgjithshëm të performancës së RTK-së.
RTK-ja është transmetues publik i Kosovës, person juridik jo-profitabil me status të institucionit të pavarur publik, me rëndësi të posaçme, i cili ofron shërbime për publikun në fushën e veprimtarisë mediale.
Programi i RTK-së duhet të drejtohet nga interesi publik, siç përcaktohet edhe në kornizën legjislative të bazuar në standardet evropiane.
Qëllimi është ofrimi i informacionit të saktë, objektiv, të paanshëm dhe të shpejtë për qytetarët.
Si televizion publik, synimi dhe zgjidhja është që ai të dallojë nga media shtetërore, ku autoritetet shtetërore mbikëqyrin median drejtpërdrejtë dhe kontrollojnë përmbajtjen.
Programet e RTK-së duhet të jenë në përputhje me nevojat programore dhe mundësitë buxhetore, duke marrë parasysh detyrimin e shërbimit publik për të siguruar interesin publik nëpërmjet përmbajtjeve informative, edukative, kulturore dhe argëtuese.