Zharku merr pjesë në konferencën Plani investiv për Evropë
Lubjanë, 22 prill - Me ftesë të komisioneres për transport, znj. Violeta Bulc, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, po merr pjesë në konferencën rajonale Plani investiv për Evropë, të organizuar nga Komisioni Evropian.
Zharku ishte pjesëmarrës i panelit të kësaj konference, në të cilën foli mbi projektet infrastrukturore rrugore dhe hekurudhore në Kosovë.
Në fjalimin e tij, theks të veçantë i kushtoi vazhdimit të autostradës Ibrahim Rugova deri në Merdare, ndërtimit të rrugës Kijevë Pejë, zgjerimit të rrugëve hyrëse në Gjilan, Ferizaj dhe Prizren, rikonstruktimit të hekurudhës Leshak Hani i Elezit, si dhe projektit që është në përgatitje e sipër, autostradës Prishtinë Gjilan Dheu i Bardhë.
Ministri z. Lutfi Zharku, gjatë konferencës u shoqërua nga ambasadori i vendit tonë në Republikën e Sllovenisë, z. Nexhmi Rexhepi.