24 Dhjetor 2024

“Z Mobile” merr 100 mijë numra “dhuratë”

Prishtinë, 25 korrik - Operatori virtual “Z Mobile”, pronë e biznesmenit pejan, Blerim Devolli është shpërblyer edhe me 100 mijë numra të rinj telefonikë, të cilët ua ka bërë “dhuratë” Ekrem Hoxha, kryetar i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike e Postare(ARKEP), i cili para se të vije në këtë pozitë përmes projekteve të ndryshme ka qenë bashkëpunëtor i kompanisë “Devolli”, e cila më parë ka qenë pronë e përbashkët e dy vëllezërve pejanë.

Ky operator mobil virtual është fuqizuar tej mase nga një vendim i tillë, pasi që tashmë ka në dispozicion hiç më pak se 300 mijë numra telefonik, ndonëse kompania në fjalë nuk ka përgjegjësi për asnjë investim dhe mirëmbajtje të pajisjeve telekomunikuese, përmes të cilave ajo bën biznes dhe përfiton shuma marramendëse parash nga kompania publike Postë Telekomi i Kosovës.

Kreu i bordit të ARKEP-it, Ekrem Hoxha, mohon se ka ndikuar te bordi i ARKEP për t’i ndarë operatorit virtual “Z Mobile” edhe 100 mijë numra shtesë. Po ashtu, ai mohon se ka qenë i angazhuar direkt si bashkëpunëtor në kompaninë e vëllezërve pejanë.

“Unë nuk kam punuar pranë kompanisë të cilën ju po e potenconi, por për sqarimin e juaj unë për 4 vite kam shërbyer si konsulent pranë misionit /projektit këshillues të USAID-it, si dhe 5 vite tjera për zyrën teknike të BERZH-it ku kam asistuar/këshilluar në angazhim zyrtar shumë biznese vendore për çka kam fituar dhe vazhdoj ta gëzoj respektin e tyre. Vendimet e rregullatorit janë vendime kolektive të bordit profesional, si dhe çdo vendim është i apelueshem në procedura të rregullta të apelimit”tha Hoxha për gazetën “Zëri”.

Ai më tej ka bërë të ditur se vendimi për çështjen në fjalë është i publikuar në ueb zyrtarë të ARKEP-it. Mirëpo, në realitet një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Ne ueb faqe të këtij Autoriteti është i publikuar vendimi paraprak me numër 380, dhe vendimi i fundit me numër 382. Por, vendimi i parafundit me numër 381, që ka të bëjë me çështjen e “Z Mobile”, asnjëherë nuk është publikuar në ueb zyrtare të ARKEP-it.

Por, më tej në vendimin e ARKEP-it, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri” thuhet se në mbledhjen e mbajtur më 4 korrik të këtij viti, bazuar në shqyrtimin e materialeve të përgatitura dhe të prezantuara nga Departamenti i Komunikimeve Elektronike lidhur me ecjen e ndarjes së resurseve shtesë numerike për ofertuesit e shërbimeve virtuale, si nevojë e krijuar për vazhdimin e mëtutjeshëm të aktivitetit në ofrimin e shërbimeve të telefonisë mobile, si dhe me qëllim të jetësimit të dispozitave të legjislacionit, ARKEP-ja ka vendosur që të rezervojë për operatorin virtual të telefonisë mobile “Z Mobile” serinë numerike 045 7XX XXX.

 “Z Mobile” bëhet me 300 mijë numra

Më tej, në vendimin të cilin e ka siguruar gazeta shihet se më 24 janar të këtij viti, ARKEP-i ka pranuar një shkrese nga “Dardafon.Net” përmes të cilës kjo e ka njoftuar autoritetin në fjalë lidhur me pamjaftueshmërinë e resurseve aktuale numerike në shfrytëzim “045 5XX XXX” dhe “045 6XX XXX”, të alokuara deri më tash nga ARKEP-i.

Pas shqyrtimit të raporteve, ARKEP-i ka ardhur në përfundim se ndërmarrja “Dardafon.Net”, ka një shfrytezueshmëri të resurseve të alokuara në masën mbi 95 për qind, ndërsa operatori “VALA” te prefiksi 045 ka një shfrytzueshnmëri nën masën prej 35 për qind, po thuajse 200 mijë numra të pashfrytëzuar në seritë ”045 8XX XXX” dhe “045 9XX XXX”, si dhe një shfrytzueshmeri prej 1 për qind në serinë e numrave “045 7XX XXX”.

“Duke marrë për bazë gjendjen e mësipërme në përputhje me obligimet ligjore të ARKEP-it, me qëllim të realizimit të një zgjidhje të qëndrueshme, si dhe duke e marrë për bazë ecurinë e shfrytëzimit të deritanishëm të resurseve numerike, duke ditur se njëri nga faktorët kryesor në ndarje është shfrytëzimi efikas dhe efektiv i tyre , atëherë Departamenti i Komunikimeve Elektronike në konsultim me Departamentin Ligjor ka ardhur në përfundim për rekomandimin e ndarjes së një serie të numrave për shfrytëzim nga ndërmarrja “Dardafon.Net”, brenda serisë numerike 045”,thuhet në vendimin që e ka siguruar gazeta “Zëri”.

Për këtë çështje gazeta e ka kontaktuar edhe drejtorin e “Z Mobile”, Milot Gjikolli, por ky i fundit të mërkurën nuk ka qenë në gjendje të bisedojë për këtë çështje.“Për këtë mund te flasim vetëm nesër në zyrat tona, të cilat i kemi në periferi të Fushë Kosovës”tha ai përmes telefonit.

 “Z Mobile” konkurrent në “VALA” dhe “IPKO”

Në anën tjetër, jozyrtarisht zyrtarë nga dy operatorët e telefonisë mobile në vend, thonë se më këtë vendim ARKEP-i po e barazon operatorin virtual me dy kompanitë e telefonisë mobile në vend, ku IPKO-ja vetëm për licencë ka paguar hiç më pak se 75 milionë euro.

Gazeta “Zëri” ka provuar për këtë çështje të kontaktojë me zyrtarë të PTK-së, por këta nuk kanë qenë në gjendje që zyrtarisht të flasim për këtë çështje.
Ndërkaq, Alban Kastrati nga kompania “IPKO” thotë se kompania ku punon ai është gjithnjë e gatshme të operojë në baza të konkurrencës së shëndoshë.

“Ndërsa lidhur me këtë rast, ne besojmë se ARKEP para marrjes së ndonjë vendimi, i ka vlerësuar rrethanat dhe situatën ekzistuese në treg, si dhe i ka marrë parasysh të gjitha përcaktimet e parapara me ligj”,ka thënë ai.

/Zëri/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)