Ymeri: Privatizimi i PTK-së po kontrabandohet përmes buxhetit
Prishtinë, 18 dhjetor - Drejtuesi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri mbajti takim informues me gazetarët në lidhje me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës për Buxhetin dhe për përpjekjet e privatizimit të PTK-së.
Ymeri ka thënë së Kryeministri Thaçi e ka paraqitur një amendament për leximin e dytë të Ligjit për Buxhetin, në shpërputhje me procedurat e parapara me rregulloren e Kuvendit dhe në shpërputhje me afatet e parapara për amendamentimin e këtij ligji. Miratimi i këtij neni dhe këtij ligji nënkupton edhe miratimin e raportit të Qeverisë për shpalljen e kompanisë fituese për privatizimin e PTK-së.
\"Ky është edhe një tentim që po e bën Qeveria e Kosovës për ta kontrabanduar një vendim të rëndësishëm për ekonominë e vendit, siç është privatizimi i një prej ndërmarrjeve të mëdha publike të Kosovës\", tha Ymeri duke shtuar se ky është kontrabandim i ngjashëm me atë që ka ndodhur në vitin 2011, ku përmes një neni në buxhet, tentohej të miratohej vendimi për privatizimin e PTK-së.
Lëvizja Vetëvendosje!, e ka kundërshtuar dhe e kundërshton edhe mënyrën por edhe vetë vendimin për privatizimin e PTK-së. Mënyra se si është proceduar vendimi për privatizim përmes Ligjit për Buxhetin për vitin 2011 ka qenë shkelje flagrante e Ligjit për Ndërmarrjet Publike.
Në atë ligj thuhet qartë se për ta nisur procesin e privatizimit të një ndërmarrjeje publike, apo të një pjese të saj, Qeveria duhet paraprakisht që ta miratojë një vendim në Kuvend, vendim ky që duhet të jetë i përcjellë domosdoshmërish me strategjinë për privatizim, ku qartësohet se çfarë do të bëjë Qeveria gjatë procesit të privatizimit dhe si do ta privatizojë një ndërmarrje të caktuar.
Ky proces i privatizimit, veçanërisht shpallja e fituesit, ka qenë i përcjellë me shumë kritika dhe me një mungesë absolute të transparencës. Ka pasur shkelje të mëdha gjatë tenderimit, si dhe dyshime të shumta për afera korruptive gjatë procesit.
Qeveria e Kosovës ka listuar një varg kriteresh që duhet t\'i plotësojë kompania fituese, mirëpo, për asnjërën nga ato kritere nuk është dëshmuar se i ka plotësuar kompania fituese e tenderit, edhe pse dëshmi të tilla i kemi kërkuar Qeverisë disa herë. Duke pasur parasysh se kompania Axos Capital Partners nuk ka qenë transparente për atë se si i ka mbledhur 277 milionë euro për ti blerë aksionet e PTK-së, Vetëvendosje ka kërkuar nga qeveria e Republikës së Kosovës:
1. Ti publikojë të dokumentet të cilat i ka dorëzuar AXOS Capital, si udhëheqës i Konzorciumit, për tu kualifikuar për blerjen e 75% të aksioneve,
2. Të qartësojë se cilat kritere janë plotësuar,
3. Të publikojë dokumentet e verifikuara si dëshmi e plotësimit të këtyre kushteve,
4. Të zbulojë se kush janë aksionarët e AXOS Capital Partners dhe AXOS Cayman, dhe
5. Të zbulojë origjinën e kapitalit për blerjen e Telekomit.
Visar Ymeri tha para gazetarëve se asnjëra prej këtyre dokumenteve, asnjëherë nuk është publikuar nga Qeveria e Kosovës. \"Pra, as Kuvendi, as qytetarët e Kosovës, nuk e dinë ende se kush qëndron prapa AXOS-it; ku i ka marr AXOS-i paratë për blerjen e PTK-së; si i ka mbledhur ato para; kush është AXOS-i; kur është themeluar; çfarë afarizmi tjetër ka, pra për ta pasur një pasqyrë të një kompanie që po synon ta blejë një prej aseteve më strategjike ekonomike të Republikës së Kosovës\", tha ndër të tjera Ymeri, duke shtuar se mungesa e publikimit të këtyre dokumenteve ngjallë dyshime se AXOS Capital është kompani fantom që është themeluar vetëm e vetëm për ta privatizuar PTK-në.
Ai më tej tha se ky amendament i propozuar nga Thaçi, i ka edhe dy probleme tjera, përveç problemit procedural. Ky amendament e ka një mashtrim brenda vetes, ku thuhet se 277 milionë eurot e fituara nga ky privatizim, do të përdoren për investime kapitale, përderisa e dimë që oferta e AXOS-it ka qenë 277 milionë euro, me kusht që 35 milionë euro t\'i mbesin në llogari si kapital fillestar llogarisë. Pra, nuk bëhet fjalë për 277 milionë euro, por për 244 milionë euro.
Çështja tjetër është rast pa precedent dhe tejet e rrezikshme. Bëhet fjalë për manipulimin me paranë dhe pasurinë publike. Duke e pasur parasysh rëndësinë që e ka buxheti për një vend, kjo nuk është mënyra se si trajtohet ai.
Kjo mënyrë e trajtimi të buxhetit, me këso mashtrime dhe vendime ad hoc të minutës së fundit në amendamentim kaq serioz të buxhetit, tregon se kjo Qeveri nuk e ka as aftësinë minimale për ta planifikuar shpenzimin e parasë publike. Prandaj kemi buxhete që më shumë e dëmtojnë sesa e ndihmojnë ekonominë e vendit, tha Ymeri.
Lëvizja Vetëvendosje! do ta kundërshtojë çfarëdo tentimi të futjes së këtij amendamenti në buxhet, dhe do ta kundërshtojë çfarëdo tentimi për kontrabandimin e privatizimit të PTK-së, qoftë përmes Ligjit për Buxhetin apo mënyrave tjera me të cilat ka tentuar më herët Qeveria.