Yakar largohet nga ANP kthehet në Turqi
Prishtinë, 25 nëntor - Koncesionari i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Limak & Aeroports De Lyon dhe drejtori menaxhues Ferda Yakar kanë dhënë pëlqim të dyanshëm për ndërprerjen e kontratës mes tyre, pas 7 muajsh menaxhimi të suksesshëm të aeroportit nga ana e tij.
Pëlqimi u arrit pasi drejtori aktual Ferda Yakar ka vendosur të kthehet në Turqi, pranë familjes së vet.
Nuk ishte një vendim i lehtë për tu tërhequr nga pozita e drejtorit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë por në mes të menaxhimit të aeroportit dhe familjes e cila është në Turqi, kam zgjedhur këtë të fundit. Kosova do të mbetet një eksperiencë e paharrueshme për mua, tha drejtori menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Ferda Yakar.
Ferda Yakar, i cili mori pozitën e Drejtorit Menaxhues të LKIA(Limak Kosovo International Airport) në muajin prill, do të tërhiqet nga pozita në fillim të muajit dhjetor të këtij viti.
Konserciumi Limak-Airports De Lyon që menaxhon aeroportin për 20 vitet e ardhshme, e respekton vendimin e drejtorit Ferda Yakar dhe ka dhënë pëlqim për këtë vendim të tij.
Ne falenderojmë Ferda Yakar për menaxhim të mirë në periudhën e tranzicionit, të cilën e kaluam suksesshëm. E vlerësojmë eksperiencën e tij në aviacion. Ka bërë një punë shumë të mirë dhe i ka shtuar vlerë kompanisë. I dëshirojmë suksese në të ardhmen, tha Mertol Genc, drejtori i Limak Group në Kosovë.
Për nder të drejtorit të LKIA-s kompania do të organizojë dhe një ceremoni përshëndetëse, ku do të jenë të ftuar punëtorët dhe stafi menaxhues.
Limak- Airports De Lyon janë duke punuar intenzivisht në realizimin e investimeve prej mbi 100 milionë euro, siç është ndërtimi i terminalit të ri prej mbi 40 mijë metra katror, ndërtimi i kullës së re të fluturimeve dhe investimeve të tjera të parapara në kontratë me qeverinë e Kosovës.