06 Janar 2025

VV: Qeveria po legalizon ndërhyrjet ilegale të Serbisë në telekomunikacion

Prishtinë, 27 janar - Komiteti për Telekomunikacion i Lëvizjes Vetëvendosje! organizoi sot tryezë ku u diskutua mbi zhvillimet e fundit lidhur me kodin ndërkombëtar dhe qeverisjen e sektorit të telekomunikimeve.

Para të pranishmëve në këtë tryezë folën Kryetari i Vetëvendosje!-s, Visar Ymeri, Prof. Ismet Hamiti si dhe eksperti i Telekomunikacionit, Fatban Bunjaku. Kryetari Ymeri foli për implikimet që i kanë negociatat me Serbinë dhe marrëveshjet e nënshkruara me të lidhur me këtë sektor të rëndësishëm.

Me këtë rast, ai e shpjegoi marrëveshjen për telekomunikacionin të nënshkruar me Serbinë në Bruksel më 25 gusht të vitit 2015, dhe dëmet që na i sjellë ajo marrëveshje.

Ai tha se \"negociatat me Serbinë e kanë për qëllim që Kosovën për së brendshmi ta riaranzhojnë në mënyrë që Kosova përfundimisht të mos mund të bëhet sovrane\".

\"Marrëveshja për Telekomunikacion i ka dy elemente kryesore: Elementi i parë është ajo që përflitet nga Qeveria, kinse fitimi i kodit telefonik për Kosovën; Kurse elementi i dytë është legalizimi i ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në sektorin e telekomunikacionit në Kosovë\", tha Ymeri, duke shtuar se me këtë marrëveshje Kosova u betonua në një rajon që formalisht gjendet nën sovranitetin e Serbisë (të paktën në sektorin e telekomunikacionit), ngase kodi merret me leje të Serbisë dhe Kosova veç e shfrytëzon atë.

Ai theksoi se peticionin kundër kësaj marrëveshjeje, kundër të gjitha marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë, dhe kundër marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, e kanë nënshkruar 205.254 qytetarë.

Profesor Ismet Hamiti, ekspert i fushës, shpjegoi në detaje çështjet që ndërlidhen me sektorin e telekomunikacionit; pjesëmarrësit në këtë sektor; gjendjen e sotme të këtij sektori; marrëveshjet me Serbinë dhe historinë e tyre; historinë e kodit ndërkombëtar; zgjidhjen për kodin telefonik dhe për persekutimin e kuadrit profesional në Kosovë, kuadër ky që ka kundërshtuar kaherë shtrimin e çështjes së telekomunikacionit në tavolinë të bisedimeve me Serbinë.

\"Me marrëveshjen me Serbinë, i njihet kompetenca në qeverisjen me sektorin e telekomunikimit në Kosovë. Posta dhe Telekomi i Kosovës është ndarë nga Serbia 55 vjet më parë. E tash, për herë të parë, me nënshkrim të Qeverisë së Kosovës, operatori shtetëror serb kthehet në Kosovë.\"

\"Dhe kjo bëhet kinse për kodin telefonik, për të cilin aplikon Austria me pëlqimin e Kosovës dhe Serbisë. Tek kodet, kemi aplikuesin, titullarin (pronarin) dhe shfrytëzuesin. Aplikuesi është Austria, shfrytëzuesi është Kosovës. E kush është pronari?\", pyeti Hamiti, duke e lënë të nënkuptohet se pronari i atij kodi brenda treshes Austri-Serbi-Kosovë, do të jetë Serbia.

Ai bëri thirrje që të gjithë qytetarët e Rëpublikës së Kosovës të bashkohen në kundërshtim ndaj këtyre marrëveshjeve të dëmshme me Serbinë, ashtu që t\'i ndalim njëherë e përgjithmonë.

Eksperti i telekomunikacionit Fatban Bunjaku, tha se operatori i ri në Kosovë do të jetë një operator që është regjistruar në dhjetorin e vitit të kaluar, dhe që quhet \"Telefonia Mobile e Serbisë\".

Bunjaku theksoi se e gjithë marrëveshja për telekomunikacionit, fazat e saj, si dhe forma e aplikimit për kod, kanë qenë jotransparente dhe në kundërshtim me interesin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Lidhur me rreziqet dhe dëmet që pëson Kosova nga kjo marrëveshje, ai u fokusua tek plani i numeracionit, frekuencat, portimi, forma e shtrirjes, përparësia (diskriminimi) në tender, përfitimi dhe humbja nga trafiku ndërkombëtar, e të tjera.

\"Kosova ka mundur të aplikojë vetë ne ITU, sipas nenit 2 pika C të Kushtetutës së ITU-së. Po ashtu, Kosova ka mundur ta shfrytëzojë kodin 355 të Shqipërisë, duke e zbatuar Rezolutën e Kuvendit të Kosovës.\"

\"Pra, Kosova i ka pasur së paku dy mundësi të tjera, e jo të insistohet në një kod nga Serbia. Rreziku më i madh që i kanoset Kosovës është që duke bërë marrëveshje të tilla, duke dhënë kaq shumë nga sovraniteti në aspektin e telekomunikacionit, të integrohemi gradualisht në sistemin telefonik të Serbisë\", tha në fund Bunjaku.

Në pjesën e dytë të kësaj tryezë, të pranishmit patën rastin të japin komente, pyetje e sugjerime lidhur me këtë çështje. Ata thanë se nga kjo marrëveshje mund të dalin edhe shumë probleme tjera që mund ta destabilizojnë tregun e telekomunikacionit në Kosovë, dhe se për këtë arsye duhet të angazhohemi të gjithë bashkërisht në mbrojtje të sovranitetit të shtetit tonë, kundër këtyre marrëveshjeve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)