VV mbështet Sindikaten e Telekomit për ndërprerjen e kontratës së Z-mobile
Prishtinë, 20 qershor - Lëvizja Vetëvendosje! mbështet kërkesat dhe qëndrimet e Federatës sindikale së pavarur të PTK-së të paraqitura sot publikisht, lidhur me ndërprerjen, respektivisht mosvazhdimin e Kontratës së dëmshme me Z-mobile, afati përfundimtar i së cilës përfundon me 30 korrik 2019.
Prej gati një dekade Lëvizja Vetëvendosje!, përfaqësuesit e saj dhe profesionistët e telekomunikacionit e financave kanë kërkuar hetimin dhe ndërprerjen e kësaj kontrate skajshmërisht të dëmshme për Telekomin dhe për të gjithë sektorin e komunikimeve elektronike në vend.
Prej 1 viti Qeveria ka qenë e obliguar që të marrë masa si aksioner i kësaj ndërmarrje publike, për të evidentuar dëmin dhe për ta ndërprerë kontratën me Z-mobile. Kjo është kërkuar nga rezoluta e Kuvendit e miratuar me 12 korrik 2018.
Afati për Qeverinë po përfundon, ndaj punëtorët kanë të drejtë dhe duhen mbështetur në protestën e tyrë të paralajmëruar për të hënën, 24 qershor 2019.
Lëvizja Vetëvendosje! i bën sërish thirrje menaxhmentit, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Qeverisë që të ndërpresin menjëherë kontratën me Z-mobile. Të përllogarisin dëmin e ta kërkojnë ligjërisht dëmshpërblimin për dëmin shkaktuar Telekomit nga kontrata.
I drejtohemi po ashtu edhe organeve të drejtësisë, prej krimeve ekonomike e deri tek prokuroria e shtetit: Hetoni krimin ekonomik që dëmtoi Telekomin dhe financat publike duke hetuar këtë kontratë.