VV kërkon largimin e anëtarëve jo profesional te bordit të Telekomit
Prishtinë, 12 tetor - Lëvizja Vetëvendosje! mbajti konferencë për media në lidhje me moszbatimin e rezolutës për Telekomin miratuar me 12 korrik të këtij viti nga Kuvendi i Republikës, që trajton situatën financiare në ndërmarrjen publike të Telekomit duke përfshirë kërkesa specifike për mekanizmat ekzekutiv mbikëqyrës dhe rregullativ.
Nënkryetari i Lëvizjes Besnik Bislimi foli rreth moszbatimin të kësaj rezolute, e cila është votuar me shumicë votash në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe që paraqet obligim për Qeverinë.
“Që nga ajo ditë, si Qeveria e Kosovës ashtu edhe Auditori i Përgjithshëm dhe ARKEP nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të jetësuar rekomandimet apo kërkesat e deputetëve të Republikës së Kosovës. Një pjesë e mirë e këtyre 12 pikave kanë të definuara si veprimet ashtu edhe afatet e parapara për ndërmarrjen e tyre’’, tha Besnik Bislimi.
Deri sot, në vend të zbatimit të Rezolutës, Qeveria, Auditori, Rregullatori i Telekomunikacionit dhe Prokuroria nuk e kanë respektuar as edhe një pikë të vetme të kësaj rezolute, ne vend të kesaj kanë trashur keqpërdorimet, kanë vazhduar punësimin dhe kanë përshpejtuar ritmin e shkatërrimit të kësaj kompanie me rëndësi të veçantë për ekonominë e Kosovës.
Profesori e anëtari i Komitetit për Telekomunikacion në Lëvizjen Vetëvendosje! Salem Lepaja foli për thellimin e krizës në Telekom që është programuar më parë nga krimi i organizuar për të sjellë këtë kompani buzë falimentimit.
“Sipas ligjit Qeveria në emër të qytetarëve të Kosovës zotëron 100% të aksioneve të Telekomit dhe krejt çka duhet të kishte bërë Kryeministri për ta ndalur plaçkitjen, është të urdhëronte z.Valdrin Lluka, Ministrin e tij për zhvillim ekonomik, të suspendojë këtë kontratën me Z-mobile menjëherë."
"Ministri Lluka nga ana e tij e ka obligim të veprojë, edhe pa marrë urdhër nga Kryeministri. Madje ai edhe personalisht si ish i punësuar i Z-Mobile që është, e njeh intimisht natyrën e dëmshme të kësaj kontrate për interesin publik.Janë edhe dy zyrtarë të tjerë që të mund ta kishin ndërprerë këtë plaçkitje, por nuk e bëjnë: Prokurori i shtetit Aleksandër Lumezi dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Reshat Millaku.’’, shtoi Salem Lepaja.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale për dy ish drejtorët e Telekomit të Kosovës dhe ish kryetarit të Bordit të Drejtorëve, për një segment tjetër të këtij krimi, ka për qëllim që të nxjerrë të pafajshëm ashtu siç ndodhi me një proces tjetër gjyqësor ndaj disa individeve të tjerë përgjegjes për nënshkrimin e kontratës abuzive me Z - Mobile më herët.
Edhe një herë ne kërkojmë që Rezoluta të zbatohet sa më parë, në veçanti, të zbatohet pika 4 në të cilën kërkohet nga Qeveria që: “Të tërheqë anëtarët aktualë të bordit të emëruar pa bazë profesionale dhe të propozojë anëtarë me integritet të lartë dhe profesionistë me përvojë të gjatë në fushën e telekomunikacionit, të financave dhe të administrimit të ndërmarrjeve.”
Kjo do t’i hapë rrugë zgjidhjes së marrëveshjes abuzive me kompaninë Dardafone.net perkatësisht me Z-Mobile, si dhe rishqyrtimit të të gjitha kontratave të tjera të dëmshme dhe atyre fiktive me kompani të tjera.