VV: Heshtja e prokurorisë, pjesëmarrje në plaçkitjen e Telekomit të Kosovës
Prishtinë, 30 qershor - Së fundmi, ndaj rrezikimit akut të kompanisë kryesisht nga kontratat me Z-Mobile, Lëvizja Vetëvendosje! ka kërkuar me urgjencë interpelancë me kryeministrin Haradinaj, dhe ka dalë me një rezolutë, të cilën e ka harmonizuar dhe me grupin parlamentar të LDK-së të cilët po ashtu kishin bërë kërkesë për interpelancë me Kryeministrin.
Kjo rezolutë e përbashkët u bojkotua nga seancën e fundit plenare. Në ndërkohë Kryeministri Haradinaj emëroi si Kryeshef Ekzektutiv të Telekomit një person plotësisht të paaftë, zyrtarin e AAK-së, Gent Begollin.
Personi në fjalë sipas Vetëvendosjes nuk ka punuar asnjë ditë në fushën e telekomunikacionit as nuk ka drejuar ndonjë kompani milionëshe e cila gjendet në vështirësi të mëdha për shkak të krimit të organizuar.
Nga shembulli tipik i një ndërmarrje publike të shëndoshë, Telekomi i Kosovës u shndërrua në një model ku u provua dhe perfeksionua secili instrument i mundshëm i zhvatjes së pasurisë publike.
U punësuan pa kriter e pa nevojë militantë partiak e anëtarë të shërbimeve të tyre informative, u drejtuan paratë drejt zyrtarëve të lartë të partive në pushtet përmes kontratave shumë të dëmshme, kurse tregu dhe klientët iu ofruan në pjatë oligarkëve të sektorit privat.
U morrën prona me qera me një çmim që e tejkalon edhe çmimin e blerjes, u angazhuan kompani krejtësisht të papërvojë por me lidhje politike për procese shumë qenësore për shëndetin e korporatës, u emëruan borde krejtësisht jokompetente e komplet politike, e madje u tentua edhe privatizimi me çmim simbolik drejt pronarëve të dyshimtë përmes një procesi krejtësisht jotransparent.
U deshën më pak se 10 vite që kjo mësymje ta transformojë Telekomin e Kosovës në një kompani me shumëfish më tepër të punësuar se sa nevojat reale, dhe nga ndërmarrja më e suksesshme publike në nivel vendi, në një korporatë të rrezikuar nga falimentimi.
Gjendja u alarmua aq shpejt dhe aq zhurmshëm sa pothuaj secila ministri u përpoq të ndërhyjë me vendime të pjesshme që kryesisht reflektonin mosdijen dhe mosseriozitetin e qeverisë.
Dhe kulmi u arritë kur si përgjigje për nevojën emergjente të sanimit të korporatës përmes menaxhimit shumë cilësor, Haradinaj vendosi që këtë detyrë t’ia besojë një aparatçikut të tij pa asnjë orë përvojë në menaxhim të sektorit të telekomunikacionit e as të ndonjë kompanie në vështirësi akute financiare.
Në një konferencë për media Prof. Besnik Bislimi, nënkryetar i Lëvizjes dhe prof. Salem Lepaja nga Komiteti për Komunikime elektronike paraqitën fakte e dëshmi mbi të gjithë procesin korruptiv në dëm të Telekomit të Kosovës por në favor të Z-mobile (Dardanfon.net).
Bislimi ka thënë se këto dokumente nuk u bën publike as nga Qeveria e Kosovës as nga vet Telekomi.
"Në to dallohet qartë manipulimi i madh që ka ndodh këto 10 vite në mënyrë sistematike. Por dallohet po ashtu qartë se Prokuroria e Kosovës po bëhet bashkëpjesëmarrëse në krimin e organizuar me heshtjen e saj kaq të gjatë."
"Kontrata joligjore dhe shumë e dëmshme e Telekomit të Kosovës me Dardafon L.L.C., pra Z-Mobile ka qenë e panevojshme dhe është rast unik në botë që një operator i rrjetit mobil t`í krijojë rivalitet dhe konkurrencë vetvetes duke krijuar një Operator virtual të rrjetit mobil dhe të bëjë ndarje të të hyrave 73 % me 27% ne favor të Z-mobile", ka theksuar ai.
Nga dokumentacioni që u bë publik në konferencë shihet qartë se Kontrata është përpiluar me qëllim te keqpërdorimit dhe fitimit privat. Së pari në 2008 janë formuar dy grupe punuese, njëra pas tjetrës, për përpilimin e Kontratës.
Por në versionin final të Kontratës mbeti pa u kufizuar numri i numrave në 200000 i dhënë për shfrytëzim nga Z-mobile dhe pa u larguar ndëshkimi ditor 5000 Euro për mos-përmbushjen e obligimeve, siç kishte kërkuar Bordi i drejtorëve i Telekomit.
Pjesë e manipulimit është edhe bartja e Licensës nga Dardafon L.L.C. te Dardafon.net L.L.C që është lejuar arbitrarisht nga Autoriteti Regullator i Teleklomunikacionit. Pronarë të këtyre kompanive janë vëllezërit Devolli.
Pasojë e krejt manipulimeve është ngritja e padisë në Arbitrazh nga Dardafon.net L.L.C. ndaj Telekomi i Kosovës sh.a. dhe humbja e qëllimtë e arbitrazhit që e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës për 32 milionë euro duke u përfaqësuar nga një kompani plotësisht jo kompetente si „Studio Ligji“ e paguar 450 mijë euro për shërbimin, pra, mosmbrojtjen“ e Telekomit në Arbitrazh.
Të gjithë zyrtarët e menaxhmentit të lartë të Telekomit prej 2008-2018 kanë vepruar me dijeni të plotë mbi dëmin që po ia sillnin Telekomit dhe favoret që po i bënin kompanisë Z-mobile të Devollit. Kjo lexohet në procesverbalet e mbledhjeve të tyre.
Çdo anëtarë i bordit të Telekomit dhe Rregullatorit ka vepruar ose nën shantazh ose me qëllim të përfitimit në dëm të Telekomit. Por të gjithë kanë qenë në dijeni të plotë të dëmit që po shkaktonin nga kontrata e 2009 deri ajo e 2017.
Me këto të dhëna nuk ka asnjë arsye pse Prokuroria ende nuk ka vepruar përpos nëse është e implikuar në këtë aferë.