VV: Denoncim publik ndaj dyshes zhvatëse, Rrahim Pacollit dhe Gani Thaçit
Kësaj radhe sipas Vetëvendosjes rolin e përkrahësit zyrtar të institucioneve të Kosovës e mori vetë kryeparlamentari Kadri Veseli.
"Përmes mashtrimit të ri, me qëllimin gjithnjë të vjetër, Kadri Veseli, priti para dy ditësh në konsultë Kryetarin e Këshillit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacollin që së bashku me Gani Thaçin, përbëjnë dyshen grabitqare të mërgimtarëve në pikat kufitare të Kosovës."
"Publiciteti dhe vetë forma e paraqitjes para opinionit publik, na bëjnë të dyshojmë, se zgjidhja e problemit të Kartonit të Gjelbër do të shtyhet deri në pakufi me vetë përkrahjen e Veselit dhe drejtuesve kryesorë të këtij rrjeti", thekson Vetëvendosje.
Për këtë, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! në Zvicër, ngrenë zërin dhe denoncojnë publikisht metodën grabitqare ndaj mërgatës.
Vetevendosje konsideron se deri më tani, nga llogaritë e thjeshta del se nga kjo dyshe, nën kontrollin dhe për egon e tyre të pangopur, janë grumbulluar mbi 120 milionë euro.
"Në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, para institucioneve, as para opinionit të Kosovës, dyshojmë se pjesa dërmuese e kësaj shume, është përdorur në kundërshtim të çdo rregulli dhe ligji të një shteti të drejtë."
"Ngritja e zërit dhe denoncimi para prokurorit të shtetit të bëhet urgjent dhe pa mëdyshje. Dyshja, Rrahim Pacolli dhe Gani Thaçi, të bëhen objekt i hetimit dhe të dërgohen para gjykatës."
"Kjo detyrë, pa hezitim, i takon dhe duhet ta marrë përsipër Prokurori i Republikës së Kosovës Aleksandër Lumezi", thekson Vetëvendosje.