22 Dhjetor 2024

Vihet në pikëpyetje ligjshmëria e bordit të ART-së

Prishtinë, 25 tetor - Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund të përballet me më shumë lëndë në të ardhmen. Vendimi i këtij institucioni ndaj rastit “presidenti” ka inkurajuar në një mënyrë qytetarët e Kosovës.

Por, edhe më herët, qytetarët e Kosovës kanë dorëzuar ankesa që kanë të bëjnë me çështje të ndryshme. Një prej atyre që ka trokitur në dyert e Gjykatës Kushtesuese është edhe Aziz Sefedini, ish-anëtar i Bordit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit.

Ai ngrit një çështje mjaft serioze, legjitimitetin e bordit të ri të Autoritetit Rregullator. Ai pretendon se votimi për këtë bord në Kuvendin e Kosovës është bërë në mënyrë antikushtetuese. Megjithatë, Sefedini pret që çështja të shqyrtohet në ndonjë nga seancat e Gjykatës Kushtetuese. 

Fillimisht, Sefedini i është drejtuar me një letër Avokatit të Popullit (Ombudspersonit të Kosovës) me një letër të datës 18 dhjetor 2009. Konfirmimin e pranimit të letës e ka bërë Hilmi Jashari më 21 dhjetor 2009. Por, megjithëse ekziston një afat ligjor për shqyrtimin e ankesave, ky institucion deri më tani nuk ka njoftuar se e ka bërë një gjë të tillë.

Në kët letër, Sefedini kërkon shqyrtimin e kushtetuetshmërisë së vendimmarrjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë emërimit të Bordit të ART-së, vendimi nr. 03-V.165, të datës 17.09.2009.

Bordi i ART-së është zgjedhur konform Ligjit për Telekomunikacion nr. 2002/7 të vitit 2003. “Bordi i ART-së tani nuk u emërua konform Ligjit për Telekomunikacion nr.2002.7. Në dobi të interesave klanore nuk u respektua neni 6, alineja 5 e ligjit në implementim”, thuhet në letër. 

Sefedini argumenton më tej se në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 17 shtator 2009, nga 68 deputetë sa ishin prezent në seancën parlamentare, gjatë votimit 32 deputetë votuan pro, 28 deputetë ishin kundër, kurse 8 deputetë abstenuan.

Sefedini pretendon se kjo paraqet shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. “Pra, numri prej 32 deputetësh pro është më pak se gjysma e numrit prej 68 deputetësh prezent në seancë”, shprehet Sefedini në letër, duke u thirrur në nenin 80.1 të Kushtetutës. Ai madje pretendon se ky nen i tekstit shqip dallon nga versioni serbisht i Kushtetutës, të dyja këto gjuhë zyrtare në Kosovë.

“Ekzistojnë dallime thelbësore në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kur bëhet fjalë për nenin 80 (miratimi i ligjeve) në mes të tekstit në gjuhën shqipe, gjuhën serbe dhe atë angleze”, thuhet në letrën e Sefedinit.

Sipas Sefedinit, Në Kuvendin e Kosovës, në zyrën ligjore janë të vetëdijshëm se kjo mënyrë e vendimmarjes, pra me më pak vota të deputetëve se gjysma e deputëtve prezent në seancë, është jologjike, por thonë se “kështu veprohet çdokund”.

Pos Avokatit të Popullit, Sefedini i është drejtuar edhe Zyrës Civile Ndërkombëtare. Fletcher M. Burton, zëevndës i përfaqësuesit civil ndërkombëtar. Ky i fundit, në një letër që ia a kthyer Sfedinit, është zotuar se do ta ketë parasysh kërkesën e tij.

“Jam mirënjohës për informatën që e keni ndarë me mua përmes letrës suaj të datës 14 korrik. ICO-ja do ta marrë parasysh këtë informatë gjatë ushtrimit të mandatit të saj”, thuhet në letrën e zyrtait të ICO-së.

“Ju mund t’i shfrytëzoni mjetet juridike që ofrohen nga ligjet e Republikës së Kosovës nëse mendoni se vendimet e marra nga autoritetet e Kosovës janë në kundërshtim me ligjet në fuqi”, thuhet në letër.

Ndërkaq në Gjykatën Kushtetuese, Sefedini e ka dorëzuar lëndën me numër KI 33/10 më 2 prill 2010. Ai shpreson se ky institucion do ta trajtojë lëndën në ndonjë nga sencat e radhës.

Neni 80, pika 1 e Kushtetutës

Ligjet, vendimet dhe aktet tjera miratohen nga Kuvendi me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, përveç në rastet kur është ndryshe e përcaktuar me këtë Kushtetutë.

Rregulla 31 e Rregullores së punës të Kuvendit të Kosovës

Pika 3. Ligjet, vendimet dhe aktet e tjera të Kuvendit konsiderohen të miratuara kur për to të ketë votuar shumica e dputetëve të pranishëm dhe që votojnë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)