Vetëvendosje paraqet në polici licencimin e taksive në komunën e Prishtinës
Prishtinë, 25 mars - Grupi i Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje! në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka bërë të ditur se sot ka paraqitur para organeve kompetente të Policisë së Kosovës, sektori i Krimeve Ekonomike, kërkesën për inicim të hetimeve në lidhje me një aktivitet ekonomik të zhvilluar nga Komuna e Prishtinës në muajt e fundit të vitit të kaluar.
Bëhet fjalë për rastin “Thirrje për aplikim për licencimin e operatorëve ekonomik për organizimin e transportit taksi të udhëtarëve me vetura elektrike” në Komunë të Prishtinës.
"Sipas informacioneve të siguruara nga qasja në dokumentet zyrtare dyshohet se që nga thirrja për aplikim e shpallur me datë 2 nëntor 2021 e deri në përfundim të procesit janë bërë anashkalime, shkelje të procedurave, keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar në Komunën e Prishtinës dhe për më tepër dyshohet se janë kryer veprime inkriminuese të cilat kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës."
"Duke shpresuar dhe besuar në profesionalizmin dhe përkushtimin e organeve kompetente kërkojmë veprime konkrete e të menjëhershme për hetimin dhe sqarimin e të gjitha dyshimeve të ngritura", thekson LVV.
Ndërkaq Komuna e Prishtinës vendimi është marr pak para ardhjes së administrates së re qeverisëse, qeverisja e re lokale menjëherë ka kërkuar auditim të jashtëzakonshëm lidhur me rastin në fjalë është në pritje të rezultateve të auditimit, dhe sa i përket organeve të hetuesisë, jemi të hapur ndaj çdo kërkese që organet e rendit mund të kenë.