Vetëvendosje: Autostrada, rrugë e keqpërdorimit të parasë publike
Prishtinë, 30 qershor - E kërkuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, interpelanca e kryeministrit Hashim Thaçi për autostradën Vërmicë-Merdar , është shndërruar në garë të patriotizmit, përderisa gjatë vazhdimit të saj është kthyer në debat për Ligjin për Prishtinën.
Kryeministri Thaçi ka siguruar deputetët dhe qytetarët se autostrada Vërmicë-Merdare nuk do të ndalet së punuari.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka paraqitur një historik të shkurtër të interpelancës, e cila është shtyrë disa herë, përderisa ka akuzuar kryeministrin Thaçi për caktim të interpelancës sipas dëshirës së tij.
Ymeri ka thënë se ndërtimi i kësaj autostrade është shumë i dyshimtë, pa u ditur kosto, traseja dhe as dizajni i rrugës, ka thënë se kontrata e saj i konvenon Bechtel&Enkas, por jo Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje sipas tij është për rrugën e kombit, \"por kjo duket të jetë rrugë e hajnisë dhe e keqpërdorimit të parasë publike\".
\"Kjo rrugë e zgjedhur nga ju kryeministër është rrugë e kontratave të dëmshme antikombëtare dhe rrugë e varfërimit të qytetarëve, ka thënë Ymeri.
Kryeministri Thaçi në fjalën e tij ka thënë se dëshiron ti kursejë qytetarët nga debati që është kërkuar nga deputetë të caktuar për qëllime të caktuara të ulëta politike.
Të kërkohet ndërprerja e punimeve në autostradë është absurd. Unë i siguroj qytetarët se nuk do të ndalen punimet. Me keqardhje duhet të them se kjo interpelancë nuk është kërkuar me qëllim që të sigurohet transparenca dhe llogaridhënia për autostradën, por për një qëllim tjetër, për të krijuar zhurmë politike dhe për të shfryrë urrejtjen politike të një grupi opozitar kundër Qeverisë. i falënderoj qytetarët që janë distancuar nga kjo urrejtje, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se përpjekjet për dështimin e kësaj autostrade do të dështojnë dhe në vjeshtën e këtij viti, qytetarët do të përfitojnë nga të mirat që sjellë kjo autostradë, përderisa Qeveria do ta respektojë plotësisht kontratën me Bechtel&Enka.
Me këtë rast, Thaçi ka akuzuar Vetëvendosjen për dëmtim të interesave të Kosovës me publikimin e pjesëve të kontratës, megjithëse draft-kontratën e publikuar nga Vetëvendosje e ka quajtur një manipulim me opinionin publik dhe interpretim sipas dëshirave politike.
Ata që kanë kërkuar këtë interpelancë i kanë bërë dëm Kosovës, duke publikuar në mënyrë të paligjshme dhe të paautorizuar pjesë të kësaj kontrate. Madje edhe duke bërë biznes me pjesë të kësaj kontrate. Ky veprim i pamatur dhe antiligjor do të shkaktojë dëme në raport me partnerët potencial, ka thënë Thaçi.
Ai u ka thënë deputetëve të Vetëvendosjes që të përgatisin lirisht interpelancën tjetër, ngase së shpejti do të shpallet interesi për autostradën e re Prishtinë-Hani i Elezit.
Më tej, kryeministri Thaçi është përballur me replika të ndryshme, të cilat në shumicën e rasteve ishin jashtë subjektit të interpelancës.
Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se kur është fjala për merita kolektive, kryeministri thotë e bëra unë, kurse për përgjegjësi individuale e mbështjell me bëmat e mëdha për kombin.
Kjo i bie ta kesh kombin për fasadë për ta mbuluar korrupsionin. Na ruajt Zoti nga njerëzit që në njërën dorë mbajnë flamurin e kombit e në tjetrën flamurin e korrupsionit. Kryeministri nuk mund të flasë për kombin. Si mund të flas ai kur e ka hequr flamurin, himnin dhe ka nxjerrë një kushtetutë pa komb, ka thënë Konjufca.
Por për këtë, Konjufca ka marrë përgjigje nga kryeministri Thaçi, i cili patriotizmit të Konjufcës i është kundërpërgjigjur me patriotizëm.
Kaluat te flamujt shtetëror e kombëtar. Kemi dallime sa i përket flamurit kombëtar. Unë jam për kultivimin e flamurit kombëtar pa yll, kurse ju me yll. Unë i respektoj institucionet shtetërore, kurse ju i digjni flamujt shtetëror. Jeni pikërisht ju. Kërkoni interpelancë edhe për Preshevë Medvegjë e Bujanovc, sepse e njoh edhe atë pjesë para jush. Hapni interpelancë kur të doni diskutojmë për kauzën shqiptare, është shprehur Thaçi.
Ndërkohë në emër të LDK-së, Ismet Beqiri ka shprehur mbështetjen e kësaj partie për ndërtimin e autostradës Ibrahim Rugova, por ai ka thënë se ka shumë dilema në ndërtimin e saj, duke nisur nga çmimi, ndryshimi i trasesë e deri te punimet dhe çmimet për njësi.
Ikja e përgjegjësisë në kryerjen e obligimeve dhe llogaridhënia ndaj atij që duhet ti japë llogari Kuvendit të Kosovës, me këtë Qeveria është duke dhënë shembullin më të keq. Me ikje nga përgjegjësia po u tregojmë partnerëve tanë se nuk dimë të qeverisim si duhet dhe po i largojmë investitorët e huaj me këtë mënyrë të qeverisjes. Ata që më së shumti do të përfitonin nga ndërprerja e kësaj mënyre të qeverisjes janë qytetarët, ndërsa ata që më së shumti përfitojnë qeveritarët, ka thënë Beqiri.