Vazhdon transporti për banorët e Kodrës së Minatorëve
Mitrovicë, 18 janar - Transporti humanitar për banorët e Kodrës së Minatorëve do të vazhdoj ashtu si ka qenë që 12 vjet dhe nuk do të ketë reduktim të lëvizjeve.
Këtë e garantoi kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, gjatë një vizite që realizoi të mërkurën në Kodrën e Minatorëve bashkë me disa bashkëpunëtorë.
Banorët shqiptarë të kësaj lagjeje në veri të Mitrovicës, thanë se janë shqetësuar tejmase kur kanë kuptuar për një kontratë të re që ka nënshkruar Ministria e Infrastrukturës me operatorin që siguron transportin për reduktimin e lëvizjeve.
Ata theksuan se sipas asaj kontrate ishte paraparë që autobusi në Kodrën e Minatorëve të qarkulloj vetëm një herë në ditë dhe jo katër herë siç ka qenë deri me tani.
Faruk Kelmendi nga kjo lagje, tha se autobusi është mjeti i vetëm që i lidh me pjesën tjetër të Kosovës. Që 12 vite me pjesën tjetër të Kosovës komunikojmë vetëm nëpërmjet këtij autobusi që siguron transport humanitar për ne.
Ai tha se në lagje nuk ka liri të lëvizjes dhe reduktimi i qarkullimit të autobusit do ta bënte jetën të padurueshme. Edhe ashtu rrethanat janë shumë të rënda. Siguria nuk është në nivel, gjendja ekonomike është e rëndë dhe në përgjithësi jetohet si në geto.
Kelmendi potencoi se reduktimi i lëvizjeve të autobusit në lagje do të pamundësonte zhvillim e mësimit atje, meqë shumica e personelit të shkollës jetojnë në jug të qytetit dhe të vetmin mjet udhëtimi e kanë atë autobus. Tha se në një rast të tillë do të pamundësohej edhe udhëtimi i nxënësve të shkollave të mesme për në shkollat në jug.
Gjithashtu ai numëroi edhe problemet që do të dilnin për banorët e lagjes që punojnë në pjesën tjetër të qytetit, mandej për stafin e ambulancës etj. Reduktimi i numrit të nisjeve të autobusit për në lagjen tonë do të ishte lajmi më i keq dhe do të detyronte edhe ato familje që kanë mbetur që të mendonin të largoheshin.
Pasi i ka dëgjuar banorët e mbledhur në një klasë të shkollës në këtë lagje, kryetari Kastrati, i garantoi ata se transporti për ta do të vazhdoj të funksionoj siç ka qenë deri me tani. Nuk do të ketë reduktim të lëvizjeve, por prej sot autobusi do të vazhdoj qarkulloj siç ka qenë nga katër herë në ditë për gjashtë ditë në javë.
Ai tha se për zgjidhjen e problemeve procedurale në Ministrinë e Infrastrukturës do të angazhohet vetë, përderisa prej pronarëve të kompanisë Kollashinprevoz, që sigurojnë transportin, kërkoi që të vazhdojnë punën rregullisht. Ne e dimë gjendjen tuaj në këtë lagje dhe jemi duke bërë krejt që çka është e mundur që të lehtësojmë jetën tuaj.
Kryetari Kastrati, tha se Komuna do të jetë pranë tyre vazhdimisht në mënyrë që të gjitha sfidat të tejkalohen më lehtë. Ne jemi shumë mirënjohës për maturinë tuaj dhe përgjegjësinë e lartë qytetare. Ne bashkë me ju do të vazhdojmë që të punojmë për ndryshimin e gjendjes këtu, në mënyrë që të përmirësohen kushtet e jetës.
Në këtë kontekst, ai përmendi fillimin e meremetimit të një numri shtëpish, mandej angazhimin e të rinjve të lagjes në punë gjatë kohës sa realizohen projektet e rindërtimit, rinovimit etj. Ai tha se e ka mbështetjen e Qeverisë së Republiës së Kosovës edhe për ndërtimin e një shkolle në këtë lagje, ku nxënësit ende mësojnë në kontejner.