Vazhdon plaçkitja e Telekomit të Kosovës
Duke sqaruar secilën pikë të kësaj Rezolute, drejtuesi i Komitetit për Komunikimet elektronike dhe postare në LV, Fatban Bunjaku tha se “Qeveria Haradinaj dëshmoi për më shumë se një vit se ka plan për të kapur bordet e ndërmarrjes kryesore publike apo agjencive që menaxhojnë me asetet e vendit.
U emëruan dhjetra anëtarë bordesh pa kompetencë profesionale, me kriterin partiak sipas partive të koalicionit. U dëshmua paaftësia e tyre por edhe vrulli i tyre për keqpërdorime. Bordet e AKP-së, KEK-ut, Trepçës, etj, bartin të njëjtat probleme në thelb me atë të Bordit dhe drejtuesve të Telekomit.
“Qeveria e ka populluar e i ka qarkulluar në Bord e në pozita menaxheriale, individë nga kontigjenti i militantëve, sipas ndarjes aktuale të pushtetit. E vuri në krye të Telekomit Gent Begollin, që në fillim na thoshte se kishte plane të mëdha, pastaj papritmas dha dorëheqje, për t’u zëvendësuar me z. Trim Musliun, e pastaj me z. Bedri Istrefin. Më pas, kryeministri na tha se për Telekomin nuk ka shpresë”, shtoi Fatban Bunjaku.
E vetmja pikë e Rezolutës që ka filluar të zbatohet është pika e pestë e Rezolutës ku obligohet Auditori Përgjithshëm që të fillojë auditimin e Telekomit.
Mirëpo vet ky auditim është bllokuar pasiqë në krye të ketij funksioni është vendosur Shehide Qerimi-Lushtaku, gruaja e deputetit të PDK-së, Mergim Lushtaku.
Në anën tjetër Profesori Salem Lepaja foli për heshtjen që Qeveria po i bën kësaj Rezolute dhe vazhdimin e marrëveshjes së dëmshmë me Z-Mobile që po shkatërron Telekomin.
“Sot janë mbushur 6 muaj nga nxerrja e kësaj rezolute lidhur me situatën në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës nga Kuvendi i Kosovës dhe Rezoluta heshtet nga Qeveria derisa marrëveshja abuzive e Telekomit të Kosovës me kompaninë Z-Mobile vazhdon, pra vazhdon plaçkitja e Telekomit të Kosovës nga MVNO të cilën e kijoi vetë”, tha Salem Lepaja.
Qeveria e Kosovës nuk e ka patur të vështirë ta ndërprejë këtë kontratë shumë të dëmshme. Qeveria zotëron 100% të aksionëve të Telekomit të Kosovës dhe krejt çka duhet të kishte bërë Kryeministri për ta ndalur plaçkitjen, është të urdhëronte z. Valdrin Lluka, ministrin për zhvillim ekonomik, ta suspendojë këtë kontratë menjëherë.
Sot, pra bëhet gjysmë viti nga nxerrja e kësaj Rezolute në Parlamentin e Kosovës. Mirëpo rezoluta heshtet kurse kriza e orkestruar në Telekomin e Kosoves vazhdon të thellohet. Pse Kryeministri, me 35 këshilltarë nuk e kryen obligimin e tij? Pse nuk i raporton Kuvendit për masat e marra në Telekomin dhe Postën e Kosovës. Duke mos zbatuar rezolutën e Kuvendit, duke e injoruar Kuvendin, Qeveria e Kosoves nuk po i respekton themelet e Republikës sonë parlamentare.
Profesori Salem Lepaja po ashtu foli edhe sa i perket operatorit serb mts D.O.O., të cilët janë pajisur me licensë “të kufizuar” e që në realitet është e pakufizuar sepse nuk ka datë të caktuar për validetin e saj. Gjithashtu dihet se Operatori serb licensën për shërbime mobile e ka marrë në mënyrë joligjore pasiqë nuk është respektuar ligji për komunikime elektronike i Republikës së Kosovës.
Një problem tjetër është edhe implementimi kodit +383 që është obligim i operatorve të shërbimeve mobile dhe fikse në Kosovë, mirëpo është obligim edhe i ARKEP-it, si institucioni më përgjegjës për këtë çështje shumë të rëndësishme. Posedimi dhe jetësimi i kodit shtetëror është jetësim i sovranitetit në sektorin e komunikimeve elektronike në Rpubliken e Kosovës. Ne kërkojmë nga ARKEP angazhim më të përgjegjshëm në implementimit te kodit shtetëror +383.
Shkatërrimin e Telekomit do të mund ta kishin ndalur edhe dy zyrtarë tjerë duke e ndërprerë kontratën abuzive të Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Dardafone.net L.L.C, përkatësisht Z-mobile, por nuk po e bëjnë, e këta zyrtarë janë: Prokurori i shtetit Aleksandër Lumezi dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Reshat Millaku, të cilët nuk e hetuan kurrë këtë kontratë kriminale. Pra Pokuroria e shtetit nuk po e zbaton rezolutën e Kuvendit, në një shtet ligjor e demokratik.
Duke kërkuar zbatimin e menjëhershëm të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për Telekomin ne kërkojmë hetim në tërësi të kontratës me Dardofon.net L.L.C. Lëvizja Vetëvendosje! nuk do të lejoj shkatërrimin dhe tjetërsimin e pasurisë kombëtare publike siç është Telekomi i Kosovës.